Përleshje me thika në zonën e ish-bllokut, reagon policia
Një plagosje me thikë ka ndodhur mbrëmjen e sotme në Tiranë, në zonën e ish-Bllokut. Bëhet me dije se ngjarja ka ndodhur në ambientet e një lokali.
Gazetari Esido Barkaj mëson se dy personat janë përleshur me njëri-tjetrin dhe të dy kanë mbetur të dëmtuar.
Kreshnik Cara, 49 vjeç, është dërguar menjëherë në spital, pasi ka marrë plagë në bark, ndërsa Toni Nake, i cili u ndalua më vonë nga policia, u dërgua po ashtu në spital për mjekim, pasi kishte pësuar dëmtime.
Njoftimi i policisë:
Plagosi me mjet prerës 49-vjeçarin, falë reagimit të menjëhershëm të shërbimeve të Policisë, kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar.
Shërbimet e Policisë, menjëherë pas marrjes së njoftimit se në rrugën “Marko Boçari” ishte dëmtuar me mjet prerës shtetasi K. C., 49 vjeç, shkuan në vendngjarje për të sqaruar autorësinë dhe rrethanat e rastit.
Si rezultat i reagimit të menjëhershëm dhe veprimeve të shpejta hetimore e operacionale, u identifikua, u kap dhe u vu në pranga autori i dyshuar, shtetasi T. N., 50 vjeç.
Nga veprimet e deritanishme hetimore dyshohet se 50-vjeçari ka plagosur me mjet prerës 49-vjeçarin, pas një konflikti për motive të dobëta.
I dëmtuari ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.




