Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën

Përzgjedhësi Franco Foda dhe mesfushori i Hoffenheimit, Leon Avdullahu, janë në konferencën për shtyp te Kosova për të folur për ndeshjen e parë të Ligës B të Ligës së Kombeve ndaj Irlandës. 

Kosova ndaj Irlandës luan të enjten nga ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. 

Në grup me Kosovën janë edhe Austria dhe Izraeli.

Foda tregon nëse do të ketë ndryshime eventuale në formacion

8 o. më parë / 23 sht 2026 16:47
Foda

Seleksionuesi i Kosovës, Franco Foda, ka thënë se në ndeshjen e të enjtes kundër Irlandës, mund të ketë ndryshime eventuale në formacion. Ai ka thënë se mungojnë shkaku i lëndimit Florent Muslija e Elvis Rexhbeçaj. 

“Mund të ketë ndonjë ndryshim eventual pasi Muslija mungon shkaku i lëndimit, njësoj si Rexhbeçaj. Kemi 27 lojtarë të ftuar dhe në dispozicion. Në futboll ndodh të ketë lëndime dhe mungesa. Këto mungesa mund të jenë një mundësi për lojtarët e rinj që duhet ta tregojnë veten dhe t’i dëshmojnë aftësitë e tyre”, tha Foda. 

Ai ka thënë se talenti i Bayernit, Erblin Osmani, ka treguar veten në stërvitje. 

“Erblin Osmani ka treguar veten shumë mirë në ushtrime dhe ka dëshmuar pse e kemi ftuar në Kombëtare. Ka treguar aftësi të jashtëzakonshme teknike. Për moshën që e ka është shumë i fuqishëm, fizikisht. Në seancat stërvitore e ka treguar veten shumë mirë. Fisnik Asllani është në top-formë dhe njëkohësisht e ka treguar veten shumë mirë në ushtrime. E dimë që në ekipin e tij ka pasur pak minuta në dispozicion. Por besoj që Fisnik Asllani do të dalë në fushë”, tha Foda. 

Foda ka thënë se nesër në “Fadil Vokrri” presin ndeshje me shumë pasione intensitet. 

Avdullahu: Jemi gati kundër Irlandës, s’kemi pse të fshihemi

8 o. më parë / 23 sht 2026 16:40
Leon Avdullahu

Mesfushori i Kosovës, Leon Avdullahu, ka thënë se futbollistët e Kosovës janë të gatshëm për përballjen me Irlandën të enjten. 

Avdullahu ka thënë se presin lojë fizike ndaj Irlandës. 

“Presim lojë fizike, të shpejtë. Kemi respekt për Irlandën. Do të jemi gati dhe nuk kemi pse të fshihemi. Besoj se jemi të përgatitur për Irlandën. Edhe ne jemi të fortë dhe gati për t’u përballur me Irlandën. Edhe ne kemi lojtarë të fortë për t’u përballur me ta”, tha Avdullahu. 

Ai ka folur edhe për mesfushori 17-vjeçar të Bayern Munchenit që ka vendosur t’i bashkohet Kosovës. 

“Kemi biseduar dhe më vjen mirë që Erblini ka vendosur të luajë për Kosovën. Është supertalent dhe do t’i ndihmojë shumë Kosovës. Jam i kënaqur që lojtarët e rinj po vendosin ta përfaqësojnë Kosovën. Kosova po shkon duke u përforcuar”, tha Avdullahu.

Foda: Kundër Irlandës qëllim fitorja

8 o. më parë / 23 sht 2026 16:35
Foda

Seleksionuesi i Kosovës, Franco Foda, ka thënë se kundër Irlandës të enjten mbrëma në “Fadil Vokrri” synohet fitore. 

Kosova hap cikilin e Ligës së Kombeve me ndeshjen kundër Irlandës. 

“Sigurisht se i njohim kualitetet dhe cilësitë e Irlandës. E dimë se si ka luajtur në ndeshjet e fundit. Ne i kemi analizuar me shumë vëmendje gjitha ndeshjet. Avantazhi është se luajmë në shtëpi. Dëshirojmë t’i fitojmë të gjitha ndeshjet por nesër do të shihet si do të shkojë loja. Por, ndoshta mund të pajtohemi edhe me barazim. Qëllimi është të fitojmë”, tha Foda. 

I pyetur nëse do të aktivizohet ndonjëri prej tre lojtarëve të rinj – Erblin Osmani, Dion Kaçuri apo Milot Avdyli – Foda ka thënë se do të shihet nesër. 

Muriqi kapiten i ri i Kosovës

8 o. më parë / 23 sht 2026 16:29
Kosova dhe Vedat Muriqi

Vedat Muriqi do të jetë kapiten i ri i Kosovës. Këtë e ka konfirmuar seleksionuesi Franco Foda në konferencë për media. Muriqi do ta zëvendësojë Amir Rrahmanin që vendosi të tërhiqet nga Përfaqësuesja. 

“Kapiteni i Kombëtares do të jetë Vedat Muriqi. E kemi diskutuar me lojtarët. I dyti do të jetë Mërgim Vojvoda. Na presin lojë të vështira dhe dihet që në këtë grup është Austria favorite. Ne si Kombëtare kemi shumë qëllime të larta. Në radhë të parë dëshirojmë të mbesim në Ligën B. Pastaj nëse paraqitemi mirë të vazhdojmë dhe të ngrihemi”, tha Foda. 


Osmani dhe Kaçuri marrin lejen, të gatshëm të debutojnë

Foda ka thënë se lojtarët e rinj të ftuar janë integruar shumë shpejt në lojën e ekipit.

“Kemi lojtarë shumë të mirë dhe kemi lojtarë që i kanë pritur mirë të rinjtë. Nuk kemi pasur aq shumë kohë por kemi punuar mirë me top dhe kur nuk e kemi topin. Mendoj se jemi përgatitur mirë për të luajtur ndaj Irlandës”, tha Foda.

Ndërkohë menaxheri i përfaqësueses së Kosovës, Bajram Shala, ka thënë se lojtarët e rinj Erblin Osmani dhe Dion Kaçuri do të jenë në dispozicion të luajnë sa u përket dokumentacioneve, por mbetet te trajneri.