Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Tetë net protesta kundër vendimit të Speciales

Është nata e tetë që qytetarët po protestojnë në sheshin "Skënderbeu" në Prishtinë për të kundërshtuar vendimin e Gjykatës Speciale i cili dënoi me 81 vjet burgim katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Tubimi ka nisur në orën 21:00 ashtu si netëve të tjera, ndërsa protestuesit me slogane për drejtësi e brohorima po vazhdojnë të shprehin qëndrimet e tyre në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.

Në fjalimin e tij sonte, një prej organizatorëve të protestës “Jo në emrin tim”, Çlirim Haziri, u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës të veprojnë sa më shpejt ndaj kërkesave të protestuesve. Ai kërkoi trajtimin dhe votimin e projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, si dhe mbështetje me fonde për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së.

“Mosveprimi i institucioneve nuk mund të zgjasë pafund. Sepse ne nuk e durojmë padrejtësinë. Populli nuk e duron heshtjen. Pritjes sonë po i vjen fundi. Durimi ynë po përfundon. Nga ky shesh u themi institucioneve: Veproni sa më shpejt! Mos e ngatërroni qetësinë tonë të deritanishme me dobësi”, deklaroi Haziri.

Ai tha se protestuesit nuk do të heshtin përballë mosveprimit institucional dhe se do të vazhdojnë të mblidhen derisa kërkesat e tyre të marrin përgjigje.

Gjatë natës performoi artistja Leonora Jakupi këngën "A vritet pafajësia". Jakupi paraprakisht ka thënë sot protestës i bashkohen të rinj e të moshuar. 

“E sot, këtij mesazhi të gjithë i janë bashkuar, i madh e i vogël... për t’i thënë stop kësaj padrejtësie dhe atij gjyqi të padrejtë. Për me i dalë Zot çunave tanë, të UÇK-së, dhe kësaj toke, dhe këtij populli”, u shpreh Jakupi.

Edhe Një javë protesta kundër vendimit ndaj katërshes së UÇK-së Arbëri Një javë protesta kundër vendimit ndaj katërshes së UÇK-së

E qytetarët fishkëllyen drejt Qeverisë në shenjë pakënaqësie për mosveprim. 

Përveç në Kosovë, protesta në kundërshtim të vendimit të Dhomave të Specializuara janë mbajtur ditëve të kaluara edhe në New York, Kanada, Zvicër, Gjermani e Austri.

Specialja i shpalli fajtorë për krime lufte dhe i dënoi me nga 25 vjet burgim Hashim Thaçin e Jakup Krasniqin, ndërsa Kadri Veselin me 18 dhe Rexhep Selimin me 13.