Tre vjet më parë, kryeministri Edi Rama i hodhi poshtë pikëpyetjet e ngritura nga opozita për emërimin e Vlora Hysenit në krye të SHISH-it. Pas vendosjes së saj në arrest shtëpie me kërkesë të SPAK-ut, ai këmbëngul se përgjegjësia është individuale.
Drejtoresha e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, flet gjatë një seance të Komisionit Parlamentar për Sigurinë Kombëtare në Tiranë, Shqipëri.
Nga Nju Jorku, ku ndodhej për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, kryeministri Edi Rama reagoi ndaj masës së arrestit shtëpiak për drejtoreshën e SHISH-it, Vlora Hyseni, duke theksuar se çështja e saj është individuale dhe duhet t’i lihet drejtësisë.
Ai përsëriti parimin e prezumimit të pafajësisë, refuzoi të komentonte mbi meritën e hetimit dhe njoftoi lirimin e menjëhershëm të Hysenit nga detyra. Rama kritikoi gjithashtu mënyrën se si raste të tilla, sipas tij, shndërrohen në gjykime publike nga media, përpara se të ketë një vendim gjykate.
“Është e pashmangshme mesa duket, që çdo hetim apo masë e marrë nga drejtësia në adresë të personave publikë, të kthehet në një motivim për të grirë mish njeriu në mexhelisin politik e mediatik dhe për të thirrur ‘litarin’ si në sheshet e ekzekutimit mesjetar, kohë përpara sesa gjykata të thotë fjalën e saj,” deklaroi në rrjetin social ‘X’.
Por, përtej përgjegjësisë penale të Hysenit, e cila mbetet për t’u përcaktuar nga drejtësia, reagimi i Ramës la pa adresuar një çështje tjetër: përgjegjësinë e tij politike për përzgjedhjen dhe propozimin e saj.
Në vitin 2023, kryeministri e paraqiti eksperiencën dhe reputacionin e Hysenit si një “garanci të plotë” për drejtimin e SHISH-it, ndërsa pikëpyetjet e ngritura nga opozita për të kaluarën e saj profesionale i cilësoi si “thashethemet e katundit tonë politik dhe mediatik”.
Drejtoresha e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, u pezullua nga detyra me vendim të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe u vendos nën masën e “arrestit në shtëpi” të martën, duke shkaktuar një nga krizat më të rënda të sektorit të sigurisë kombëtare në dekadat e fundit.
Hyseni akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për veprat penale të përkrahjes së autorit të krimit dhe nxjerrjes së sekretit shtetëror ose të shërbimit. Masat e sigurisë ndaj drejtoreshës së SHISH-it burojnë nga hetimi që Prokuroria e Posaçme po zhvillon ndaj Ergys Agasit, një ish-zyrtar i Ministrisë së Mjedisit, i akuzuar për krijimin e një grupi të strukturuar kriminal me qëllim manipulimin e tenderëve të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, AKSHI.
Neni 92, pika f, i Kushtetutës përcakton qartë se propozimi për emërimin e Drejtorit të SHISH-it bëhet nga Kryeministri, ndërsa emërimi formalizohet me dekretimin nga Presidenti i Republikës.
“Në këtë kuptim, përgjegjësia politike për përzgjedhjen dhe propozimin e Hysenit padyshim që i takon Kryeministrit,” shprehet avokati dhe aktivisti i shoqërisë civile Gentian Serjani.
Sipas tij, përpara propozimit, Rama duhej të kishte kryer verifikimet e nevojshme edhe mbi rrethanat e mëparshme të karrierës së Hysenit në Kosovë dhe të vlerësonte nëse kishte elementë që kërkonin sqarime shtesë.
Serjani argumenton se pohimi i Ramës se përgjegjësia penale e Hysenit është personale nuk e mbyll debatin mbi përgjegjësinë politike për zgjedhjen.
“Përgjegjësia personale e një zyrtari për veprimet e tij nuk e përjashton përgjegjësinë politike të autoritetit që e ka përzgjedhur dhe propozuar atë për një detyrë të lartë shtetërore,” tha ai.
Duke ilustruar rastin përmes një analogjie sportive, Serjani tha se është njësoj sikur “një lojtar të luajë keq, madje edhe të shesë ndeshjen, dhe trajneri të refuzojë ta nxjerrë nga loja dhe të justifikohet me arsyetimin se përgjegjësinë për humbjen e mban vetëm lojtari.”
Sociologu dhe analisti politik Ergys Mërtiri e lidh përgjegjësinë e Ramës jo vetëm me zgjedhjen e Hysenit, por edhe me mënyrën se si funksionojnë mekanizmat e kontrollit dhe verifikimit për drejtuesit e institucioneve të sigurisë.
“Kreu i shërbimeve sekrete nuk është një pozicion çfarëdo, pasi lidhet me sigurinë kombëtare dhe këtu do të duhet të zgjidhen njerëz me nivel të lartë besueshmërie,” tha ai.
Por, sipas Mërtirit, problemi nuk qëndron vetëm te zgjedhja e gabuar.
“Rasti na flet gjithashtu edhe për gjendjen e institucioneve që garantojnhë sigurinë në vend, për çfarë gjithashtu Kryeministri është patjetër përgjegjësi kryesor,” tha ai.
“Në se kreu i këtij institucioni rezulton në një lidhje kaq të ngushtë dhe kaq të dukshme me eksponentë të krimit të organizuar dhe askush në këtë shtet nuk di dhe nuk raporton gjë, kjo tregon se shteti në tërësi është në gjendje katastrofike,” shtoi Mërtiri.
Sipas Mërtirit, qëndrimi se përgjegjësitë janë individuale dhe se Kryeministri nuk ka përgjegjësi për ata që kryejnë vepra penale pas shpinës së tij, i shndërruar tashmë në refren për dhjetëra e dhjetëra raste funksionarësh të lartë në hetim për vepra kriminale, është “krejtësisht banal”.
“Ai është totalisht përgjegjës politikisht për faktin se zgjedh kaq shumë njerëz të korruptuar dhe se nuk ka parë asgjë nga zullumet e tyre, megjithëse kanë qenë kaq të dukshme dhe flagrante,” tha ai.
“Në rastin konkret, Edi Rama është patjetër përgjegjës politikisht për faktin se ka kërcënuar sigurinë kombëtare të vendit duke vendosur në krye të shërbimit informativ një person kaq të papërgjegjshëm sa vendos SHISH-in në shërbim të kreut të një grupi kriminal,” theksoi Mërtiri.
Gazetari dhe analisti politik Lutfi Dervishi e formulon përgjegjësinë politike të Ramës përmes tri pyetjeve: çfarë dinte kryeministri, çfarë duhej të dinte dhe çfarë bëri kur u shfaqën sinjalet.
Sipas tij, rasti i Hysenit shkon përtej përgjegjësisë penale individuale, pasi për herë të parë drejtuesja e Shërbimit Informativ të Shtetit në detyrë vendoset nën masën e arrestit në shtëpi dhe pezullohet/shkarkohet nga detyra, me dyshimin për nxjerrjen e sekretit shtetëror dhe përkrahjen e autorit të një krimi.
“Drejtuesi i SHISH-it nuk vjen nga qielli,” tha Dervishi. “Kryeministri ka detyrimin politik të shpjegojë jo çfarë ka bërë apo nuk ka bërë penalisht Hyseni, por si ka funksionuar kontrolli dhe mbikëqyrja politike e institucionit më sensitiv të sigurisë kombëtare.”
Për Dervishin, mënyra se si Hyseni erdhi në krye të SHISH-it ngre pikëpyetje, pasi ajo nuk u ngrit përmes një karriere brenda shërbimit shqiptar, por erdhi nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës, ku kishte shërbyer si zëvendësdrejtore dhe drejtuese e përkohshme.
“Kur sinjalet ekzistonin, kush i verifikoi dhe çfarë masash u morën?” pyet ai, duke vënë në dukje se SHISH-i kishte funksionuar gjithashtu pa një zëvendësdrejtor – një hallkë e rëndësishme në hierarkinë e institucionit.
“Përgjegjësia politike fillon pikërisht te detyrimi për të shpjeguar zgjedhjen, mbikëqyrjen, reagimin ndaj sinjaleve dhe garancitë që një situatë e tillë nuk ka cenuar sigurinë kombëtare,” përfundoi Dervishi./BIRN/
© SYRI.net