Manchester United shet copëza të fushës së vjetër të ‘Old Trafford’

Manchester United shet copëza të fushës së vjetër të ‘Old Trafford’

08:32, 24/09/2026

Manchester United ka vendosur të shndërrojë një pjesë të historisë së ‘Old Trafford’ në një burim të ri të ardhurash. Klubi anglez ka nxjerrë në shitje disa pjesë të tapetit të vjetër të stadiumit, i cili u zëvendësua gjatë pushimeve verore, duke u dhënë abonentëve mundësinë të blejnë një fragment të impiantit legjendar.

Këto copëza janë në dispozicion për 125 paundë dhe dorëzohen në një kuti transparente, të shoqëruara edhe me një fotografi të ‘Old Trafford’. Artikulli synon kryesisht koleksionistët dhe tifozët më besnikë të “Djajve të Kuq”, të cilët tashmë mund të kenë në shtëpi një pjesë të fushës ku kanë luajtur disa prej ‘yjeve’ më të mëdhenj në historinë e klubit.

“Është një dhuratë perfekte për tifozët e Manchester United dhe mund të ekspozohet së bashku me artikuj të tjerë koleksionistë të klubit”, thuhet në prezantimin zyrtar të nismës.

Operacioni vjen në një periudhë delikate për financat e Manchester United. Pavarësisht të ardhurave rekord prej 677.6 milionë paundësh, klubi vijon të ketë një borxh që kalon 1 miliard paundë, ndërsa në bilancin e fundit regjistroi humbje prej 43 milionë paundësh.

Që pas mbërritjes së Sir Jim Ratcliffe, klubi ka ndërmarrë masa për uljen e kostove, përfshirë shkurtimin e stafit dhe reduktimin e shpenzimeve operative. Në këtë kontekst, shitja e copëzave të fushës së ‘Old Trafford’ është një nismë e pazakontë, por pjesë e përpjekjeve për të krijuar burime të reja të ardhurash.

Nuk është hera e parë që Manchester United ndërmerr një nismë të tillë. Një operacion i ngjashëm u realizua edhe në 2013, në fund të sezonit të fundit të Sir Alex Ferguson në drejtimin e skuadrës, kur United fitoi titullin e Premier League.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco