Bota

Agjenti i OpenAI-it hakon faqen e qeverisë australiane!

Kryeministri australian, Anthony Albanese bëri të ditur se një agjent i Inteligjencës Artificiale i zhvilluar nga OpenAI, aksesoi informacione publike dhe jopublike në një faqe interneti të qeverisë.

Sipas kronologjisë së incidentit, agjenti realizoi aksesin më 18 qershor. OpenAI e identifikoi rastin gjatë një shqyrtimi më të gjerë të asaj që kompania e përshkroi si “aktivitet të modelit të keqorientuar”.

Më 10 shtator, OpenAI i dërgoi njoftim Services Australia-s, qendrës federale që ofron shërbime të përgjithshme për qytetarët. Pesë ditë më vonë, më 15 shtator, autoritetet australiane e raportuan incidentin te Australian Cyber Security Centre.

Brenda pak ditësh u informua edhe ministrja australiane për Shërbimin Publik, Katy Gallagher.

Më 23 shtator, Albanese e bëri publik incidentin nga Nju Jorku. Kryeministri australian tha se autoritetet janë gjithashtu në dijeni të tre sistemeve të tjera që mund të jenë prekur.

Ato përfshijnë:

Institutin Australian të Shëndetit dhe Mirëqenies; Byronë Australiane të Statistikave dhe Kërkimeve të Krimit të Uellsit të Ri Jugor; Departamentin e Shëndetësisë të Viktorias.

Albanese tha se kishte komunikuar me kryeministrat e Viktorias dhe Uellsit të Ri Jugor, Ben Carroll dhe Chris Minns, të cilët do të merrnin informacione të plota nga autoritetet e sigurisë kibernetike.

Ndryshe nga një chatbot tradicional, i cili zakonisht i përgjigjet një kërkese të përdoruesit, një agjent i IA-së është një program që mund të veprojë në mënyrë më autonome për të përmbushur një detyrë.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.