Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë e ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në një lokal në rrugën “Marko Boçari” në Tiranë, ku 49-vjeçari Kreshnik Cara u plagos me thikë nga 50-vjeçari, Toni Nake.
Pak orë pas ngjarjes policia ka njoftuar se Cara nuk i ka mbijetuar plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë në spital.
“Në vijim të informacionit të dhënë pak më parë, ju informojmë se shtetasi K. C., 49 vjeç, i cili u plagos me mjet prerës, pavarësisht ndihmës mjekësore të marrë, ka ndërruar jetë në spital”,- njoftoi Policia.
Ndërkohë, bëhet me dije se autori i dyshuar, Toni Nake, është marrë në pyetje nga grupi hetimor dhe ka dhënë versionin e tij për konfliktin.
Nake ka deklaruar se ndodhej në të njëjtin lokal me Kreshnik Carën, por në tavolina të ndryshme. Sipas dëshmisë së tij, mes tyre ka nisur një debat i çastit, për motive të dobëta, i cili fillimisht ka qenë vetëm verbal.
Më pas, sipas deklarimeve të dhëna në polici, Nake është larguar nga lokali, ka shkuar në banesë dhe ka marrë një thikë. Ai është kthyer më pas në lokal dhe ka goditur disa herë me thikë Kreshnik Carën në pjesën e barkut.
Në momentin e konfliktit, Cara ndodhej në tavolinë me një tjetër person, mikun e tij.
Burime bëjnë me dije se Toni Nake njihet si përdorues i lëndëve narkotike, dhe gjatë marrjes në pyetje nuk ka qenë i qëndrueshëm në deklarimet e tij. Sipas të njëjtave burime, ai ka pretenduar gjithashtu se ishte bullizuar shpesh.
Grupi hetimor vijon hetimet për të dokumentuar rrethanat dhe dinamikën e konfliktit, ndërsa dëshmitë e personave të pranishëm dhe provat e mbledhura pritet të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të ngjarjes.
LEXO EDHE
49-vjeçari plagoset me thikë brenda një lokali, Policia: Arrestuam autorin (EMRAT)












