Partia Demokratike ka kërkuar ndryshimin e rendit të ditës së seancës së sotme parlamentare, në kuadër të zhvillimeve të fundit lidhur me arrestimin e ish-kreut të SHISH, Vlora Hyseni.
Kërkesa është depozituar nga kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, i cili kërkon heqjen nga rendi i ditës të dy interpelancave urgjente me ministrin e Mjedisit, Sofjan Jaupaj, dhe ministren e Arsimit, Mirela Kumbaro.
Në vend të tyre, demokratët kërkojnë përfshirjen e një pike të re në rendin e ditës: “Kontroll dhe debat parlamentar me Kryeministrin Edi Rama lidhur me situatën e rëndë në Shërbimin Informativ Shtetëror.”
Sipas PD-së, zhvillimet e fundit përbëjnë një çështje që duhet të marrë vëmendjen e Kuvendit dhe të trajtohet përmes mekanizmave të kontrollit parlamentar. Në kërkesën e drejtuar, Bardhi kërkon që Kryeministri Edi Rama të japë shpjegime lidhur me përzgjedhjen e Vlora Hysenit në krye të SHISH-it, si dhe për veprimtarinë e saj gjatë kohës që drejtoi institucionin. Kërkesa është firmosur nga kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.
