E enjte, 24 Shtator 2026 Mes'dritë Live deri në 12:00 Në vijim ora 12:00: Lajme Ora 12:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Bota

VIDEO/ Trump “thyen” protokollin, pret personalisht Presidentin kinez! Në fokus AI, tregtia dhe tensionet gjeopolitike

Në një pritje të pazakontë për standardet e diplomacisë amerikane, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, doli personalisht në pistën e bazës ajrore Andrews për të mirëpritur presidentin kinez Xi Jinping, i cili ka nisur vizitën e tij shtetërore në Shtetet e Bashkuara.

Inteligjenca artificiale, dominimi teknologjik, tregtia dhe tensionet gjeopolitike pritet të jenë në qendër të bisedimeve mes dy liderëve.

Trump dhe zonja e parë Melania Trump pritën Xi Jinping dhe bashkëshorten e tij, Peng Liyuan, në bazën ushtarake Andrews, pranë Uashingtonit.

Reklamë

Dy liderët shtrënguan duart dhe zhvilluan një bisedë të shkurtër para kamerave. Mbërritja e presidentit kinez u shoqërua me tapet të kuq, nderime ushtarake dhe fluturimin e dy bombarduesve B-1 mbi bazë.

Një gjest i rrallë nga presidenti amerikan

Prania personale e presidentit amerikan në pistën e bazës Andrews për të pritur një lider të huaj konsiderohet një veprim jashtëzakonisht i rrallë.

Sipas Financial Times, rasti i fundit i ngjashëm në këtë bazë daton në vitin 1962, kur presidenti John F. Kennedy priti kryeministrin britanik Harold Macmillan.

Vendimi i Trump për të shkuar vetë në aeroport shihet si një tregues i rëndësisë që Uashingtoni i kushton vizitës së Xi Jinping, e para vizitë shtetërore e presidentit kinez në SHBA pas më shumë se një dekade.

Vizita zhvillohet nga 23 deri më 25 shtator dhe përfshin një sërë aktivitetesh zyrtare

Në program janë parashikuar një takim privat për çaj me Donald dhe Melania Trump, si dhe një vizitë në Arkivat Kombëtare.

Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë ka ftuar në darkën shtetërore të së enjtes drejtues të kompanive më të mëdha të teknologjisë në botë, përfshirë përfaqësues të OpenAI, Apple, xAI, Microsoft, Nvidia dhe Meta.

Zgjedhja e të ftuarve nënvizon rolin gjithnjë e më të rëndësishëm të inteligjencës artificiale në marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Pekinit.

Përplasja mes SHBA-së dhe Kinës për zhvillimin e teknologjive të avancuara është një nga çështjet kryesore të takimit.

Dy vendet prej vitesh konkurrojnë për epërsinë teknologjike, por gara për inteligjencën artificiale e ka rritur edhe më tej rëndësinë strategjike të kësaj përplasjeje.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.