Në GJKKO po mbahet seanca për masën e sigurisë për Fatjon Kalluçin, shef e policie në Laboratorin Shkencor, dhe kryekamerierin e lokalit të cilat qeveritare në Durrës, Embro Sulejmani, të cilët akuzohen nga SPAK se mbështetën Ergys Agasin gjatë arratisë. Ndaj Kalluçit rëndon vepra penale e zbulimit të të dhënave sekerete te grupet kriminale. Ai dyshohet se i ka dërguar Ergys Agasit në muajin gusht, para se të arrestohej, 3 foto të ekspertizës së makinës Land Rover Defender në pronësi të tij, që u sekuestrua gjatë kontrolleve në Equos Resort.
Kryekamerieri Embro Sulejmani i akuzuar për përkrahje të autorit të krimit, i dërgonte Ergys Agasit ushqime në banesën ku qëndronte i fshehur. Të dhënat janë zbuluar në telefonin e sekuestruar biznesmenit Agasi. Mbrojtja e Kalluçit dhe Sulejmanit do t’i kërkojnë Gjykatës shpalljen e moskompetencës, ose në të kundërt kohë për tu njohur me aktet.
Ndërkohë, sot në orën 12:00 GJKKO do të japë edhe masën e sigurisë për ish-kreun e SHISH, Vlora Hysenin, e cila ndodhet nën arrest shtëpie nga SPAK, ndërsa më pas u lirua nga detyra.
Hyseni akuzohet për “nxjerrje të sekretit shtetëror” dhe “përkrahje të autorit të krimit”. SPAK gjeti 9 faqe dokumente sekrete të SHISH në makinën e Ergys Agasit, i arrestuar për aferën e AKSHI-t, të cilat dyshon se ia ka vënë në dispozicion Hyseni. Kjo e fundit ishte pyetur më 18 shtator nga SPAK (jo për herë të parë), si person në dijeni për lidhjet me biznesmenin, por ka pretenduar se komunikimet mes tyre ishin në kuadër të bashkëpunimit të tij si informator i SHISH.
Në komunikimet e zbuluara nga SPAK dhe të raportuara nga Report Tv, gjenden mbi 500 komunikime mes Hysenit e Agasit ku sipas Prokurorisë, biznesmeni diktonte dhe merrte informacionin që i duhej, informohej për takime sensitive si dhe shkëmbenin edhe foto e video.

