Opozita dhe mazhoranca debate të forta për SHISH në Parlament! PD kërkon dorëheqjen e Ramës, PS mbron Reformën në Drejtësi
Kuvendi është mbledhur sot në seancë plenare, ku në rendin e ditës janë parashikuar dy interpelanca urgjente me ministrin e Mjedisit, Sofjan Jaupaj, dhe ministren e Arsimit, Mirela Kumbaro, si dhe shqyrtimi i dy projektligjeve, përfshirë atë për pjesëmarrjen e Forcave të Armatosura të Shqipërisë në operacionin ushtarak të Forcës Ndërkombëtare të Stabilitetit në Gaza.
Por, para nisjes së seancës, Partia Demokratike kërkoi ndryshimin e rendit të ditës, duke kërkuar që dy interpelancat të hiqen dhe në vend të tyre të zhvillohet një debat parlamentar me kryeministrin Edi Rama për situatën në SHISH. Kërkesa e opozitës vjen pas masës “arrest në shtëpi” të caktuar nga GJKKO ndaj ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni.
10:38 — “Agasi mafiozi më i rrezikshëm i Evropës”, Berisha: Vlora Hyseni anëtare e poshtër e grupit të tij kriminal
I pari që e mori fjalën në Kuvend ishte kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili e quajti Hysenin “një anëtare të grupit kriminal të Ergys Agasit.”
Në fjalën e tij, Berisha ka sulmuar edhe kryeministrin Edi Rama për emërimin e Hysenit në krye të SHISH, duke pretenduar se ajo ka pasur një rol të dyfishtë dhe se ka bashkëpunuar me struktura kriminale. Ai e ka cilësuar seancën e sotme si “më të turpshmen” në historinë e Kuvendit.
10:57 — Tensione në Kuvend, rrëzohet kërkesa e PD për çështjen e Vlora Hysenit, demokratët bllokojnë foltoren
Partia Demokratike ka kërkuar ndryshimin e rendit të ditës së seancës plenare, me qëllim zhvillimin e një debati në Kuvend lidhur me ish-drejtuesen e SHISH, Vlora Hyseni.
Kërkesa e opozitës nuk është miratuar, me 72 vota kundër.
Deputetët e Partisë Demokratike bllokuan foltoren në shenjë proteste dhe kjo solli pushimin e punimeve për 10 minuta.
Pas votimit, Kuvendi ka vijuar punimet sipas rendit të ditës së parashikuar.
10:58 — Berisha akuza ndaj Vlora Hysenit, Klosi: Ke 22 vjet që sulmon krerët e institucioneve, drejtësia po vepron
Deputeti socialist Blendi Klosi i ka kthyer përgjigje akuzave të kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili gjatë fjalës së tij në seancën plenare hodhi akuza ndaj mazhorancës pas masës së sigurisë së vendosur ndaj kreut të SHISH, Vlora Hyseni.
11:15 — “Kryetar, do të ta zërë vendin Tao, e ka vendosur Gysi”, Noka sjell përgjimet në Kuvend: Vlora Hyseni fiku gjithë radarët e shtetit
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka ka vijuar me akuza të forta ndaj qeverisë lidhur me situatën në SHISH dhe masën e sigurisë ndaj ish-drejtoreshës Vlora Hyseni. Noka ka kërkuar përgjegjësi politike për emërimin dhe qëndrimin e Hysenit në krye të shërbimit, ndërsa ka akuzuar qeverinë se ka cenuar sigurinë kombëtare.
Në fjalën e tij, Noka ka deklaruar se situata kërkon dorëheqjen e qeverisë. Ai ka akuzuar gjithashtu shumicën parlamentare se po e trajton situatën sikur “nuk ka ndodhur asgjë”.
11:27 — “Edhe ju si socialistë keni ulur kokën”, Tabaku thirrje Peleshit: Na kanë ndarë shumë gjëra në politikë, por…
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka vijuar debatin në Kuvend duke kërkuar që situata e krijuar rreth SHISH të trajtohet nga Parlamenti. Tabaku ka rikthyer kërkesën e PD-së për ndryshimin e rendit të ditës, duke akuzuar mazhorancën se po shmang diskutimin për atë që opozita e konsideron cenim të sigurisë kombëtare.
Në fjalën e saj, Tabaku është shprehur se zhvillimet e fundit kanë tronditur besimin dhe imazhin e institucioneve shqiptare, duke iu drejtuar edhe deputetëve socialistë me thirrjen që të marrin përgjegjësi dhe të mos sillen në Kuvend “sikur s’ka ndodhur asgjë”.
Ajo e ka cilësuar situatën si një problem që kërkon reagim institucional dhe debat parlamentar.
11:48 — “Shqiptarët nuk e harrojnë SHIK-un e Saliut që vriste e përgjonte”, Berisha i përgjigjet Ismailit: Keni kaluar nga zyra e Agasit?
Debati në Kuvend është shoqëruar me përplasje verbale mes kryeministrit Sali Berisha dhe ministres Erjona Ismaili, pas deklaratave të kësaj të fundit për ish-SHIK-un.
“SHISH-i sot është një institucion që prej viteve ’90 ka përfaqësuar rënien e shtetit. S’kanë si ta harrojnë shqiptarët SHIK-un, ku ju jeni kujdesur t’i lini memories institucionale fakte, urdhra, histori të shkruara me gjakun e atyre që me jetë vuajtën pushtetin tuaj të pakufishëm mbi çdo lloj pushteti, qofshin dhe të pavarura. SHIK-u i atëhershëm, i të gjithëpushtetshmi Sali Berisha, që përndiqte, përgjonte, vriste, si polici politike dhe që nuk jepte llogari askund. Si mund ta harrojnë shqiptarët SHIK-un?”, deklaroi ministrja.
11:55 — “Vlora ia ka fikur radarët shtetit”, Bardhi: Nëse urdhëroheni nga grupet kriminale, këtu nuk ka më shtet
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, e ka cilësuar situatën e krijuar pas arrestimoit të kreut të SHISH si një nga momentet më të vështira për Parlamentin dhe Republikën e Shqipërisë. Në fjalën e tij në seancën plenare, Bardhi ka akuzuar mazhorancën se po përpiqet të shmangë përgjegjësinë politike dhe ka kërkuar praninë e kryeministrit Edi Rama në Kuvend për të dhënë shpjegime.
Bardhi ka përsëritur akuzat e opozitës për emërimin e Vlora Hysenit në krye të SHISH, duke pretenduar se ajo ka vepruar në favor të grupeve kriminale. Ai ka deklaruar se nëse drejtues të institucioneve të sigurisë dhe qeverisë ndikohen apo urdhërohen nga grupe kriminale, atëherë, sipas tij, “nuk ka më shtet”, ndërsa e ka cilësuar situatën si pasojë të asaj që opozita e quan “narkoshtet”.
12:38 — “Vlora ia ka plasur llambat Baramit”, Korreshi ironizon Presidentin: Pse s’e mblodhe Këshillin e Sigurisë apo ke qenë ha fasule dhe yp xhixhi
Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, ka vijuar me tone të forta debatin në Kuvend për situatën e krijuar pas arrestimit të kreut të SHISH, Vlora hyseni.
Korreshi ka deklaruar se zhvillimet e fundit tregojnë se shteti është cenuar rëndë nga krimi i organizuar dhe ka akuzuar institucionet për dështim në garantimin e sigurisë kombëtare.
Në fjalën e tij, deputeti demokrat ka ngritur pikëpyetje edhe për rolin e Presidentit të Republikës dhe institucioneve të tjera të sigurisë, duke kërkuar përgjegjësi për situatën e krijuar.
12:53 — Tedi Blushi: Ergys Agasi ka filmuar Niko Peleshin, shantazhon kryetarin e Kuvendit
Deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka hedhur akuza të forta në Kuvend ndaj drejtuesve të institucioneve, duke përfshirë edhe kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi. Blushi ka pretenduar se Peleshi është filmuar nga Ergys Agasi dhe e ka sfiduar atë të japë llogari para shqiptarëve, duke e pyetur nëse e ka takuar Agasin apo nëse është shantazhuar prej tij.
Në vijim, Blushi i ka kërkuar Peleshit të japë dorëheqjen, ndërsa kryetari i Kuvendit i është përgjigjur duke i cilësuar deklaratat e deputetit të Partisë së Lirisë si “fantazi”.




