Qindra foto dhe video të Endrit Thaçit dhe Klestor Veselit kanë qarkulluar ditët e fundit në rrjetet sociale, duke i kthyer dy djemtë e ish-krerëve të UÇK-së në personazhe të komentuar online pas zhvillimeve të fundit në Hagë.
Fotot e tyre nga protestat në Prishtinë janë shpërndarë në faqe të ndryshme në rrjetet sociale, ndërsa video të momenteve kur dyshja shfaqet së bashku janë ripostuar gjerësisht. Endrit Thaçi dhe Klestor Veseli janë parë disa herë në protestat në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, ku kanë qenë mes qytetarëve të mbledhur në shesh.
Interesi ndaj tyre nuk është kufizuar vetëm te rrjetet sociale. Emrat e të dyve kanë marrë një rritje të ndjeshme të kërkimeve në internet pas vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë.
Sipas të dhënave të Google Trends për periudhën 17–23 shtator, Klestor Veseli rezulton ndër emrat më të kërkuar nga përdoruesit në Kosovë. Kërkimet për emrin e tij janë rritur me mbi 5,000% krahasuar me javën paraardhëse dhe Google Trends e klasifikon termin si “Breakout”, që tregon një rritje shumë të madhe të interesit.
Në kërkimet e lidhura me Klestor Veselin janë shfaqur edhe “Klestor Veseli age” dhe “Klestor Veseli mosha”, ndërsa në listën e kërkimeve të përdoruesve është përfshirë edhe emri Endrit Thaçi.
Në rastin e Endrit Thaçit, ekspertët thotë se emri i tij u kërkua masivisht në Google dhe YouTube pikërisht në ditën e shpalljes së vendimit në Hagë.
Google Trends mat interesin relativ të kërkimeve, jo numrin absolut të klikimeve. Vlera 100 tregon pikën më të lartë të interesit për një term brenda periudhës së analizuar.
Lini një Përgjigje