Berisha akuza ndaj Vlora Hysenit, Klosi: Ke 22 vjet që sulmon krerët e institucioneve, drejtësia po vepron
Deputeti socialist Blendi Klosi i ka kthyer përgjigje akuzave të kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili gjatë fjalës së tij në seancën plenare hodhi akuza ndaj mazhorancës pas masës së sigurisë së vendosur ndaj kreut të SHISH, Vlora Hyseni.
Ndaj saj, me urdhër të SPAK u vendos masa e sigurisë “arrest shtëpie” dhe “pezullim nga detyra”, pasi akuzohet për “përkrahje të autorit të krimit” dhe “nxjerrje të sekretit hetimor”. Masat e sigurisë erdhën në kuadë të hetimeve që po kryhen ndaj Ergys Agasit, i arrestuar disa javë më parë.
“Kjo seancë do hyjë në histori si seanca më e turpshme e mbledhur ndonjëherë. Sot parlamenti mblidhet si parlamenti i Ergys Agasit, si parlamenti më i papërgjegjshëm në tërë historinë kombëtare të ndonjë vendi”, deklaroi Berisha në nisje të seancës.
Klosi tha se askush nuk do të merret në mbrojtje nga PS në përballje me drejtësinë.
Blendi Klosi: Në sa vite ke karrierë politike, 22 vjet ke drejtuar këtë forcë politike në opozitë. 22 vjet janë shumë për jetën e një politikani. Por 22 vjet nuk ke hequr dorë nga akuzat për institucionet, nuk ke hequr dorë nga akuzat për krerët e shërbimeve.
Godet institucionet, godet sigurinë kombëtare. Ne e kemi dëshmuar jo vetëm si vullnet politik, por e kemi dëshmuar me fakte që ajo që kemi bërë me Reformën në Drejtësi do të jetë standardi ynë.
Nuk do të marrim asnjë funksionar në mbrojtje. Vazhdon të jesh “non grata”. Drejtësia e re do të veprojë dhe ne do të jemi këtu për ta mbështetur atë. 22 vjet Sali Berisha drejton opozitën.




