Prag-ndeshje me Bjellorusinë – Dy lojtarë bëjnë me dhimbje koke trajnerin Maran
Kombëtarja shqiptare ka vijuar përgatitjet për sfidat e radhës në UEFA Nations League, me kuqezinjtë që kanë zhvilluar një tjetër seancë stërvitore në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”.
Trajneri Maran dhe stafi i tij kanë zhvilluar një seancë të plotë me pjesën më të madhe të grupit. Dy lojtarët që nuk janë bashkuar plotësisht me ekipin kanë qenë Kristjan Asllani dhe Klisman Cake.
Asllani ka kryer një program të diferencuar, me fokus rikuperimin muskulor. Sipas informacioneve nga stafi mjekësor i Kombëtares, gjendja e mesfushorit nuk paraqet shqetësim serioz dhe ai po monitorohet nga afër.
Ndërkohë, Cake ka ndjerë një shqetësim në kofshën e majtë gjatë seancës së djeshme. Rezonanca magnetike ka dhënë lajme pozitive, pasi nuk është evidentuar dëmtim muskulor. Mbrojtësi ka nisur tashmë një program fizioterapie në Klinikën e Kombëtares dhe vijon të jetë nën kujdesin e stafit mjekësor.
Pjesa tjetër e skuadrës e nisi punën në palestër, përpara se të zbriste në fushë për një seancë ku fokusi kryesor ishte aspekti taktik. Maran punoi me lojtarët në skema të ndryshme dhe situata specifike të lojës, ndërsa një pjesë e rëndësishme e stërvitjes iu kushtua edhe goditjeve standarde.




