web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Fshati digjet, këta krihen

24 Shtator 2026, 10:40, Editorial CNA

Fshati digjet, këta krihen

48 orët e fundit një tjetër “bombë” ka plasur për publikun shqiptar. Një dosje hetimore e SPAK-ut, e cila ka përfshirë emrat e dy zyrtarëve më të rëndësishëm të shtetit shqiptar, ish-drejtueses së SHISH tashmë, Vlora Hysenit, dhe ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, por edhe një zyrtar i tretë që në fakt është një nga njerëzit kryesorë të Policisë Shkencore.

Gjithçka ka ndodhur pas arrestimit të Ergys Agasit, një personazh i shumëpërfolur, i cili është përfshirë në dosjen AKSHI-t, që tani del përtej një marrëdhënieje personale me Vlora Hysenin, tashmë ish-drejtuese e SHISH.

Sipas provave të prokurorëve, në dosje del se ai ka pasur komunikime intensive me zonjën Vlora Hyseni, ka një gjuhë të nxehtë, por flitet edhe për çështje informacioni që nga takimet me kryeministrin, drejtorin aktual të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, por edhe takime të tjera zyrtare të njeriut më të lartë të Shërbimit Sekret në Shqipëri.

Ka dy rrugë për ta parë çështjen. E para, një histori e zezë ku shteti ka rënë dhe ky është fakt se si një drejtuese e SHISH jep informacione, komunikon në mënyrë të pandalshme me një person të shpallur në kërkim me disa akuza të rënda penale.

Nuk ka rëndësi nëse ai është emri i Ergys Agasit apo një personi tjetër të kërkuar. Që në këtë moment, kur drejtuesja e SHISH komunikon me dikë që është në kërkim dhe akuzohet nga SPAK-u apo prokuroritë për vepra të rënda penale, SHISH ka rënë.

Nuk mundet drejtuesi i këtij institucioni të komunikojë me persona me precedentë penalë apo që kërkohen nga institucionet e drejtësisë pa folur për faktin që Agasi ishte në arrati, pa folur për faktin se zonja Hyseni në Komisionin Parlamentar për Sigurinë e ka mohuar njohjen me Ergys Agasin.

Gjithashtu ua ka mohuar edhe zyrtarëve të lartë të shtetit duke theksuar se këto janë thjesht thashetheme.

Mesazhet tregojnë që zonja Hyseni jo thjesht e vetëm kishte marrëdhënie me zotin Agasi, por komunikonte me të dhe mund t'i ketë dhënë informacione të rëndësishme që kanë të bëjnë me sigurinë kombëtare.

Lind pyetja: në çfarë forme arritën në makinën e Ergys Agasit diagramet e SHISH-it? Struktura e SHISH-it?  

Më tej, një përgjegjës sektori, Fatjon Kalluci, i cili punonte në Policinë Shkencore, dyshohet se ka fshirë, të paktën prova, në telefonin e drejtuesit të tij, duke futur aplikacione për të zhdukur gjurmët, pa folur më tej për një detaj shumë më të rëndësishëm, i cili është anashkaluar.

Sipas provave të gjetura nga SPAK-u, shefi i sektorit të Policisë Shkencore, Fatjon Kalluci, i çonte Ergys Agasit mesazhe pas provave që ai gjente pas ekzaminimeve.

Kemi Ilir Prodën, ish-drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, i vendosur në këtë detyrë nga Ergys Agasi dhe mbështetësit e tij.

Gazetarja Klodiana Lala dhe gazetarët e kronikës kanë raportuar me dhjetëra raste se si Ilir Proda u mbështet nga Ergys Agasi dhe u vu në krye të Policisë së Shtetit.

Për më tepër, gjatë kësaj kohe "iu hëngër koka" Taulant Ballës, një nga njerëzit më të rëndësishëm në Partinë Socialiste, i cili u hoq nga Ministria e Brendshme pas një përplasjeje direkte me njeriun e Ergys Agasit, Ilir Prodën, apo dhe direkt me të parin.  

Më tej, kemi historitë e AKSHI-t që dihen, përtej historive dhe thashethemeve të tjera. Kemi AKSHI-n që jep miliona e miliona euro. 

Një nga rastet e tjera më skandaloze është historia e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Hipotekës, Kadastrës, siç e quan Rama.

Sipas të dhënave të zyrtarëve të siguruara dhe pjesë të dosjeve hetimore, në Kadastër janë zhdukur prona. Për dikë që qesh kur e lexon është mjaft e thjeshtë. Figuron një pronë në emër të dikujt, por historia e kësaj prone është fshirë.

Çfarë ndodh?

Janë zhdukur gjurmët e pronave dhe ka prona pa histori.

Nga ana tjetër, për ata që kërkojnë ta trajtojnë të gjithën si një histori rozë, pyetja është e thjeshtë.

Shumë mirë, Ergys Agasi "gjeti shesh dhe bëri përshesh". Edhe teza që të tjerët thonë: "Mirë bëri, edhe unë po të kisha qenë, edhe ai po të kishte qenë, këtë do të kishim bërë".

Po si mund të ndodhë në një shtet normal, nuk po themi shtet serioz, ose në këtë shtetin tonë të paktën që aspiron të hyjë në BE, që kryetarja e SHISH kapet në përgjime të tilla dhe i shërben një personi në kërkim?

Është ky kriminel apo i pafajshëm, mjafton që është person në kërkim, kërkohet nga drejtësia. Dhe kur këtë akt e bën kreu i SHISH-it, SHISH ka rënë.  

Nga ana tjetër, si mundesh të emërosh dikë në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive, të regjistrosh pronat e tua, t'i mbarosh të gjitha punët që ke dhe më pas ta heqin?

Si mundet dikush të arrijë të vendosë në krye të Policisë së Shtetit një njeri të inkriminuar?

Pa folur për këta "specialistët" apo shefat e sektorëve që nxjerrin prova nga celularët dhe ia çojnë dikujt.

Si mundet që të gjitha këto fije shkojnë tek një emër, dhe ai quhet Ergys Agasi? Kush ia dha pushtetin Ergys Agasit? Ku e gjeti? Pse s'e ka emrin e një zyrtari tjetër apo ish-zyrtari të LSI-së që më pas u bë një nga njerëzit kryesorë të Partisë Socialiste në qarkun e Durrësit? Ku mbiu? Kush ia dha pushtetin?

Kjo është pyetja dhe përgjigjja: Njeriu që i dha pushtetin e ka emrin Edi Rama.

Ka shumë që "fshati po digjet e ata po krihen". Janë ata që i qajnë hallin, janë ata që thonë këto i nxjerr SPAK-u, përgjimet, komunikimet, janë ata që thonë pse u prit të vinte deri në Shqipëri kjo zonja, pse i nxorën masat e sigurisë.

Për ata që krihen, në vend të thonë që Vlora Hyseni duhet të ishte arrestuar më përpara, dhe do Zoti nuk e kanë vonuar disa ditë, në vend të thonë falënderime për prokurorët e SPAK-ut dhe për gjykatën, pasi i kanë bërë një nder shtetit shqiptar me arrestimin e drejtueses së SHISH-it, fillojnë dhe merren me histori rozë dhe "fshatin që digjet dhe këta që krihen".

Dhe disa me urdhër, disa krihen dhe kot, se nuk u ka dhënë qeveria as krehër për atë punë, por e bëjnë të shkretët se ndoshta u jep ndonjë pako xhel për t'u lyer./ CNA

 





Lajmet e fundit nga