Në seancën e sotme plenare kanë nisur tensionet e para, teksa deputeti i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, po mbante fjalën në foltoren e Kuvendit. Në atë moment deputetët e PD janë ngritur në këmbë dhe kanë bllokuar foltoren, duke ndërprerë fjalën e Klosit.
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, u ka bërë thirrje deputetëve të ulen dhe të lejojnë vijimin e punimeve sipas rendit të ditës. Megjithatë, deputetët e PD-së nuk i janë bindur thirrjes dhe kanë vijuar të qëndrojnë në këmbë pranë foltores.
Më herët, Partia Demokratike kërkoi ndryshimin e rendit të ditës së seancës plenare, duke kërkuar që në fokus të ishte situata e krijuar në SHISH pas masave të sigurisë ndaj drejtoreshës së institucionit, Vlora Hyseni. Kërkesa u hodh në votim, por u rrëzua me votat e mazhorancës.
Në shenjë proteste pas rrëzimit të kërkesës, deputetët e Partisë Demokratike bllokuan foltoren e Kuvendit, duke sjellë ndërprerjen e punimeve të seancës për rreth 10 minuta.
