“Kryetar, do të ta zërë vendin Tao, e ka vendosur Gysi”, Noka sjell përgjimet në Kuvend: Vlora Hyseni fiku gjithë radarët e shtetit
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka ka vijuar me akuza të forta ndaj qeverisë lidhur me situatën në SHISH dhe masën e sigurisë ndaj ish-drejtoreshës Vlora Hyseni. Noka ka kërkuar përgjegjësi politike për emërimin dhe qëndrimin e Hysenit në krye të shërbimit, ndërsa ka akuzuar qeverinë se ka cenuar sigurinë kombëtare.
Në fjalën e tij, Noka ka deklaruar se situata kërkon dorëheqjen e qeverisë. Ai ka akuzuar gjithashtu shumicën parlamentare se po e trajton situatën sikur “nuk ka ndodhur asgjë”.
Gjithashtu Noka solli në sallë edhe përgjimet telefonike mes Vlora Hysenit dhe Ergys Agasit, në një episod të dosjes hetimore, Hyseni informon Ergys Agasin, në atë kohë në arrati se flitet që Taulant Balla do të jetë kryetar i Kuvendit.
“Taulant Balla kryetar kuvendi… Keshtu Jane infot… Bela me Taon shoku” (nënkuptohet deputeti Taulant Balla dhe deputetja Belinda Balluku).
Noka: Zoti kryetar në ikje, se do të ta zërë vendin Tao, e ka vendosur Gysi me Vlorën. Çfarë pret ky Parlament që të thërrasë keryeministrin, kreun e narkos, për të dhënë dorëheqjen. Kush e emëroi Vlora Hysenin, kush e mbajti. A e mbani mend kur ju kemi thënë që ajo zonjë u hoq nga puna për dyshime për dekonspirim me shërbimin sekret jugosllav? Për këtë aryse është hequr. Është bashkëpunëtore e shkëlqeyr e shërbimeve të huaja, thoshte kreu i narkos. Siguria kombëtare ka rënë.
Çfarë duhet të ndodhë më shumë? Shërbimet e këtij vendi, shërbimet e një vendi anëtar të NATO-s janë të gjitha në duart e karteleve. E keni parë çfarë thotë në përgjime ajo zonja? “Shpirt” thotë. “Çunat sot vazhdojnë lirshëm se i fik unë gjithë radarët e shtetit”. I fik radarët e shtetit për trafikun e drogës. Ju rrini këtu sikur s’ka ndodhur asgjë. Çfarë jeni ju, kujt i shërbeni? I shërbeni vendit, shqiptarëve apo kujt? Çfarë duhet të ndodhë në këtë vend që një qeveri të ikë. Ju jeni kukulla të narkoshtetit. Nuk mund të ketë seancë normale.




