GJKKO lë në burg Kalluçin dhe Sulejmanin, dyshohen se ndihmuan Ergys Agasin në arratisje
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në fuqi masat e sigurisë “arrest në burg” për Fatjon Kalluçin dhe Embro Sulejmanin, të arrestuar në kuadër të hetimeve që lidhen me dosjen e AKSHI-t dhe biznesmenin Ergys Agasi.
Fatjon Kalluçi, ish-shef sektori në Policinë Shkencore, dyshohet se ka ndihmuar Agasin duke nxjerrë sekretin hetimor lidhur me hetimet ndaj tij.
Ndërsa Embro Sulejmani, i cili punonte si kryekamarier në një restorant pranë vilave qeveritare në Durrës, dyshohet se ka fshirë pamjet e kamerave të sigurisë pas arrestimit të Agasit. Sipas dyshimeve të hetuesve, veprimi është kryer për të mbuluar qëndrimin e biznesmenit në ambientet e vilave qeveritare.
Të dy personat do të vijojnë të qëndrojnë në masën e sigurisë “arrest në burg”, ndërsa hetimet për rolin e tyre në këtë çështje vijojnë.




