Lajmi i fundit

Ish-drejtuesja e SHISH, Vlora Hyseni mbërrin në GJKKO

Ku është zhdukur Rama? – Mungon në drekën me Kallas, Feriti në vend të tij

Ku është zhdukur Rama? – Mungon në drekën me Kallas, Feriti në vend të tij

11:53, 24/09/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Edi Rama ndodhet në Nju Jork për angazhimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, por një takim i rëndësishëm i zhvilluar të mërkurën me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Kaja Kallas, u zhvillua pa praninë e kryeministrit shqiptar.

Kallas mblodhi në një drekë joformale përfaqësuesit e vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku morën pjesë kryeministri i Kosovës Albin Kurti, kryeministri i Maqedonisë së Veriut Hristijan Mickoski, presidenti i Malit të Zi Jakov Milatoviq, ministri i Jashtëm i Serbisë Marko Gjuriq dhe ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha.

Pra, duket si në mënyrë të koordinuar, kanë munguar vetëm Edi Rama dhe miku i tij, Aleksandër Vuçiç.

Por ndërsa Vuçiç, për dallim nga Rama, ka patur një axhendë të ngjeshur me takim në Nju Jork, kryëministri i Shqipërisë nuk duket gjëkundi.

Pra, në tavolinën ku u diskutua situata dhe zhvillimet e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, Shqipëria nuk u përfaqësua nga Edi Rama, por nga ministri i tij i Jashtëm.

‘Zhdukja’  e Ramës në këtë takim vjen në një moment veçanërisht të rëndë për qeverinë shqiptare, ku në aspektin institucional shteti ka rënë, pasi kreu i Shërbimit Inteligjent është nën arrest për nxjerrje të sekretit shtetëror për llogari të krimit të organizuar dhe dyshohet deri edhe për llogari të vendeve jomiqësore me NATO-n, siç raportojnë mediat në Shqipëri.

Dosja e SPAK ka sjellë në vëmendje komunikimet e saj me biznesmenin Ergys Agasi, i cili ndodhet në qendër të një hetimi të gjerë. Sipas të dhënave të publikuara nga mediat mbi dosjen hetimore, bëhet fjalë për qindra komunikime mes Hysenit dhe Agasit, ndërsa në automjetin e këtij të fundit janë gjetur edhe materiale që hetuesit i konsiderojnë të ngjashme me të dhëna të prodhuara nga SHISH.

Kjo e zhvendos çështjen përtej një historie personale mes dy individësh siç po përpiqet Edi Rama ta paraqesë në mediat e tij.

Në debatin publik rreth dosjes, SPAK, mesa duket i koordinuar me kryeministin po përpiqen ta shfaqin skandalin te dimensioni personal i komunikimeve mes Hysenit dhe Agasit, duke e paraqitur çështjen kryesisht përmes raportit të tyre intim apo romantik.

Vetë përmbajtja e hetimit të bërë publike deri tani është shumë më e gjerë: SPAK heton dyshime që lidhen me ndihmën ndaj një personi të kërkuar nga drejtësia dhe me nxjerrjen e të dhënave sekrete.

Në këtë sfond, mungesa e kryeministrit shqiptar në një prej takimeve të nivelit të lartë të organizuara nga Kaja Kallas në Nju Jork merr një tjetër peshë politike.

Ndërsa Shqipëria përfaqësohej në tavolinën e Ballkanit nga ministri i Jashtëm, në Tiranë institucioni që ka për detyrë mbrojtjen e informacionit të klasifikuar dhe sigurisë kombëtare ndodhet në qendër të një hetimi penal.

Takimi i Kallasit ishte i fokusuar te stabiliteti rajonal dhe perspektiva evropiane e Ballkanit. Ndërkohë, Shqipëria u ul në atë tavolinë përmes ministrit të Jashtëm, ndërsa në vendin që ai përfaqëson, drejtuesja e shërbimit inteligjent është nën masë sigurie nga drejtësia.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco