Ashtu si dhe ishte njoftuar, ish-drejtoresha e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, ka mbërritur në ambientet e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ku do të zhvillohet seanca për verifikimin e masës së sigurisë të vendosur ndaj saj nga SPAK.
Hyseni është paraqitur në gjykatë e shoqëruar nga avokati i saj, Kastriot Selita. Në momentin e mbërritjes, gazetarët ishin vendosur në hyrje të ambienteve të GJKKO-së, duke tentuar të marrin një prononcim prej saj.
Pavarësisht interesimit dhe pyetjeve të gazetarëve, Hyseni nuk ka dhënë asnjë përgjigje për pyetjet e tyre dhe ka vijuar drejt ambienteve të gjykatës.
Hyseni përballet për herë të parë me GJKKO-në, ku do të verifikohet masa e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe “pezullim nga detyra”, të vendosura në mungesë ndaj saj. Ish-drejtoresha e SHISH-it dyshohet për “nxjerrje të sekretit shtetëror” dhe “përkrahje të autorit të krimit”.
Sipas SPAK, në automjetin e biznesmenit Ergys Agasi, i arrestuar në kuadër të hetimeve për aferën e AKSHI-t, janë gjetur nëntë faqe dokumente të klasifikuara si sekrete shtetërore, për të cilat Prokuroria dyshon se i janë vënë në dispozicion nga Hyseni.
Kjo e fundit është marrë në pyetje më 18 shtator nga SPAK, në cilësinë e personit që ka dijeni për marrëdhëniet e saj me biznesmenin. Hyseni ka pretenduar se komunikimet me Agasin kanë qenë në kuadër të bashkëpunimit të tij me SHISH-in, si informator, mirëpo nga mesazhet që kanë rrjedhur tanimë nëpër media nga dosja hetimore, marrëdhënia e tyre ka rezulton të jetë përtej asaj profesionale.
Në kuadër të hetimeve, SPAK ka evidentuar mbi 500 komunikime mes Hysenit dhe Agasit. Sipas Prokurorisë, në këto komunikime biznesmeni kërkonte dhe merrte informacione, përfshirë të dhëna mbi takime sensitive, ndërsa mes tyre janë shkëmbyer edhe materiale fotografike dhe video.
