Vlora Hyseni mbërrin në GJKKO, pritet t’i komunikohet masa e sigurisë
Ish-drejtoresha e SHISH, Vlora Hyseni, ka mbërritur në ambientet e GJKKO-së, ku pritet t’i komunikohet dhe të shqyrtohet masa e sigurisë ndaj saj.
VIDEO- Vlora Hyseni mbërrin në GJKKO
Hyseni u vendos dy ditë më parë në masën “arrest në shtëpi”, në kuadër të hetimeve të SPAK për dosjen “AKSHI”. Hetimet kanë nxjerrë në pah komunikime të saj me biznesmenin Ergys Agasi, i cili u arrestua rreth një muaj më parë.
Vlora Hyseni akuzohet për “nxjerrje të sekretit shtetëror” dhe “përkrahje të autorit të krimit”.
Ish-drejtoresha e SHISH-it është marrë në pyetje më 18 shtator nga SPAK, për lidhjet e saj me biznesmenin Agasi. Sipas qëndrimit të saj, komunikimet mes tyre kanë qenë të lidhura me bashkëpunimin e Agasit si informator i SHISH-it.
Vlora Hyseni ishte emëruar në krye të SHISH-it rreth tre vite më parë dhe u shkarkua nga detyra nga kryeministri Edi Rama pas nisjes së hetimeve nga SPAK.




