Këtë të enjte, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka zhvilluar një takim me drejtuesit kryesorë të institucioneve të rendit dhe sigurisë kombëtare.
Kreu i Shtetit, thirri Ministrin e Brendshëm, Ervin Demo, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, si dhe Drejtorin e komanduar të SHISH-it, Elvis Lila.
Të lidhura
None found
Presidenti Begaj u informua dhe diskutoi me ta për çështje të aktualitetit.
Ky takim, vjen në një moment të rëndë për institucionet e sigurisë në vend, pasi SPAK ka kërkuar arrestimin e drejtueses së SHISH-it, e dyshuar për bashkëpunim dhe favorizim të eksponentëve të krimit të organizuar.
Në të njëjtën kohë, me urdhër të Prokurorisë së Posaçme, është kontrolluar edhe banesa e ish-Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, në kuadër të të njëjtave dyshime për lidhje dhe bashkëpunim me krimin e organizuar.
Hetimi i SPAK ka ngritur pikëpyetje të forta mbi depërtimin e interesave kriminale në nivelet më të larta të institucioneve që kanë për detyrë të garantojnë rendin dhe sigurinë kombëtare.
Pikërisht në këtë klimë, duket se Presidenti Begaj ka kërkuar informacion nga drejtuesit e rinj të Ministrisë së Brendshme, Policisë së Shtetit dhe SHISH-it mbi situatën dhe funksionimin e institucioneve pas zhvillimeve të fundit.
