Arrestimi i shefes së SHISH-it: Goditje në sigurinë kombëtare dhe dilemat mes Shqipërisë e Kosovës

Vlora Hyseni, drejtuesja e Shërbimit Informativ të Shtetit, e cila po hetohet nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, është bllokuar ditën e martë në pikën kufitare të Vërmicës teksa po kthehej nga një qëndrim jashtë territorit shqiptar.

Të lidhura

None found

Kujtojmë se Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë kishte vendosur më 21 shtator masat e “arrestit në shtëpi” dhe “pezullimit nga funksioni publik” ndaj saj. Megjithatë, ekzekutimi i këtyre masave nuk u bë i mundur në çast, sepse Hyseni nuk ndodhej në Shqipëri. Ajo u lokalizua më pas në doganën e Vërmicë-Morinës dhe iu dorëzua forcave të rendit shqiptar.

Bëhet e ditur se gjatë orëve të ditës, zyrtarja e lartë ka qëndruar në Kosovë, ndërsa në mbrëmje, në momentin e paraqitjes në pikën kufitare, është vënë nën mbikëqyrje nga autoritetet tona.

Seanca gjyqësore për shqyrtimin e masës së sigurisë është parashikuar të mbahet më 24 shtator, ku Hyseni do të dalë përpara trupit gjykues.

Një precedent i rëndë dhe thirrja për maturi

Image

Publicisti dhe analisti Adriatik Riza Dosti e cilëson ndalimin e kreut të SHISH-it si një nga episodet më të rënda që ka përjetuar shteti shqiptar në tërësinë e historisë së tij.

Ai paralajmëron se efektet mund të jenë të thella dhe kërkon një qasje jashtëzakonisht serioze në vlerësimin e tyre.

“Të arrestosh numrin një të shërbimit sekret dhe inteligjencës kombëtare të Shqipërisë, sipas meje, përbën një prej episodeve më alarmante në të gjithë historinë e shtetit tonë. Kam frikë se pasojat do të jenë të konsiderueshme. Është e papranueshme për hierarkitë përkatëse dhe në këtë kontekst, përgjegjësi të madhe mbajnë edhe kryeministri Rama dhe presidenti Begaj. Një shteti anëtar të NATO-s i vihet në pranga shefja e shërbimit kombëtar… Pothuajse e paimagjinueshme nga çdo perspektivë.

Dëmet potenciale që Hyseni mund të ketë shkaktuar, veçanërisht sa i përket informacioneve të klasifikuara që mund të kenë rrjedhur për sigurinë kombëtare, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, duhen marrë me seriozitetin më të madh. Këto duhet të analizohen me kujdes edhe në lidhje me aleatët tanë dhe agjencitë e inteligjencës së shteteve fqinje. Këtu veçoj në mënyrë të posaçme marrëdhëniet Shqipëri–Greqi, Shqipëri–Serbi, si dhe dinamikën Serbi–Kosovë,” deklaroi Dosti për “Bota sot”.

Analisti shpreh shqetësim të thellë që presidenti Begaj ende nuk ka thirrur një mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurisë, ndërkohë që e etiketon Ramën si antishqiptar dhe antikosovar.

“Gjithçka lidhet me natyrën e dokumenteve dhe të dhënave të rrjedhura për të cilat heton SPAK-u. Fakti që presidenti Begaj nuk e ka mbledhur ende Këshillin e Sigurisë Kombëtare në një seancë urgjente është tejet shqetësues dhe rëndon dukshëm mbi pozitat e ekzekutivit dhe të shtetit, respektivisht mbi Ramën dhe Begajn.

Unë mendoj se jo thjesht në këtë rast, por gjatë gjithë periudhës që Shqipëria është qeverisur nga Rama, të cilin e shoh si antishqiptar e antikosovar, bazuar në prova e jo në retorikë, si dhe si mik të ngushtë të Serbisë dhe Vuçiqit, Kosova është dashur t’i analizojë me kujdes dhe vëmendje të shtuar të gjitha format e marrëdhënieve me shtetin shqiptar.

Rasti më i freskët, që V. Hyseni, e shkarkuar dhe e akuzuar për shkaqe serioze nga ana e Kosovës, pra nga Kurti dhe Osmani, u emërua nga Rama në krye të një institucioni jashtëzakonisht sensitiv, flet vetë dhe nuk lyp shumë komente,” theksoi ai.

SPAK-u e ka përfshirë Hysenin në listën e personave nën hetim për veprat penale të parashikuara nga nenet 320/2 dhe 295/a/1 të Kodit Penal, që kanë të bëjnë me favorizimin e autorit të një krimi dhe me nxjerrjen e fshehtësive zyrtare apo të dhënave sekrete.

Ky hetim është pjesë përbërëse e procedimit penal nr. 20/1 të vitit 2025, dosje e cila ndërlidhet edhe me parregullsitë e dyshuara në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.

Në kuadrin e të njëjtit hetim, Gjykata e Posaçme ka vendosur masa sigurie edhe për persona të tjerë. Konkretisht, për një përgjegjës sektori në Institutin e Policisë Shkencore dhe një punonjës të një agroturizmi është dhënë masa e “arrestit në burg”, teksa janë lejuar edhe kontrolle në banesa dhe ambiente të ndryshme, duke përfshirë një kompleks vilash në Shkozet të Durrësit.

Hetimet për dosjen e AKSHI-t shtrihen mbi një numër të madh individësh, përfshirë këtu biznesmenët Ergys Agasi dhe Ermal Beqiraj, të cilët tashmë janë arrestuar për këtë çështje, si dhe ish-drejtuesen e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj.

Image

Goditja në hierarkinë e sigurisë, çfarë vihet në lojë dhe si ndikohet raporti i besimit me Kosovën?

Eksperti i sigurisë, Fatjon Softa, argumenton se një rast i kësaj natyre duhet analizuar në disa plane dhe nuk mund të thjeshtëzohet duke u kufizuar vetëm në përgjegjësinë e individit që po hetohet.

“Kur një proces penal përfshin kreun e një institucioni inteligjence, nuk përballemi thjesht me një çështje personale. Shtrirja e përgjegjësisë institucionale e bën rastin tepër të rëndësishëm për sigurinë kombëtare dhe besimin e publikut. Ne duhet të bëjmë një ndarje të qartë mes tri niveleve: përgjegjësisë penale të personit, asaj institucionale dhe besimit strategjik ndaj strukturave të sigurisë. Masat e sigurisë janë pjesë e një procesi gjyqësor dhe nuk përbëjnë provë definitive të fajësisë. Megjithatë, ato e bëjnë të domosdoshëm një kontroll nga ana e institucioneve nëse mekanizmat e mbikëqyrjes, kontrollit dhe ruajtjes së informacionit kanë qenë funksionalë. Një shtet i konsoliduar duhet të jetë i aftë të hetojë një funksionar të lartë pa cenuar menjëherë kredibilitetin e të gjithë institucionit. Objektivi duhet të jetë zbulimi i së vërtetës dhe forcimi i sistemit të sigurisë, jo gjenerimi i një paniku institucional,” shpjegoi Softa.

Ai shton se rreziku për sigurinë kombëtare, në rast se dyshimet për ekspozim të informacionit të klasifikuar do të vërtetohen, nuk mund të përcaktohet vetëm nga vepra penale objekt hetimi, por nga natyra dhe impakti i informacionit të ekspozuar.

“Rreziku nuk matet vetëm nga emri i veprës penale, por nga substanca e informacionit të ekspozuar, subjektet që mund ta kenë përfituar atë, kohëzgjatja e aksesit dhe efektet që mund të ketë prodhuar.

Duhet të kemi parasysh katër elementë:

Informacioni i klasifikuar: Çfarë niveli sigurie zotëronte dhe sa jetik ishte për operacionet apo burimet e inteligjencës?

Zinxhiri i kontrollit: Si u administrua informacioni dhe a pati akses të paautorizuar?

Pasojat operacionale: A janë dëmtuar burime njerëzore, teknika pune apo operacione konkrete?

Besimi ndërkombëtar: A ekziston një ndikim i mundshëm në informacionin që Shqipëria ndan me partnerët?

Ne nuk mund të flasim për një dëmtim total të sistemit pa pasur prova. Por, gjithashtu, nuk mund ta trajtojmë çështjen si një incident të zakonshëm burokratik, nëse faktet tregojnë se është prekur informacioni strategjik.

Pyetja kyçe është: A përballemi me një shkelje të izoluar, një të metë në mekanizmat e kontrollit apo një problem më të gjerë në arkitekturën e sigurisë së informacionit?”, theksoi eksperti i sigurisë.

Rasti merr një nuancë të veçantë edhe për Kosovën, duke pasur parasysh se Hyseni përpara se të emërohej në krye të SHISH-it në Shqipëri, ka pasur një karrierë të gjatë në strukturat e sigurisë kosovare. Softa mendon se kjo e bën të nevojshëm një vlerësim të kujdesshëm, por jo krijimin e dyshimeve në mungesë të fakteve konkrete.

“Fakti që një zyrtare ka pasur më parë detyra në strukturat e inteligjencës së Kosovës nuk implikon automatikisht që informacioni i administruar prej saj është cenuar. Për këtë duhen të dhëna të forta dhe një vlerësim i kompetencave institucionale. Duhet të analizohen disa pyetje themelore: Në cilat periudha ka pasur akses në informacion të klasifikuar? Çfarë tipologjie informacioni ka administruar? A ka ndonjë lidhje faktike midis hetimit në Shqipëri dhe informacionit të marrë gjatë shërbimit në Kosovë? Nëse dalin në dritë prova për ekspozim të informacionit, atëherë institucionet kompetente duhet të bëjnë një vlerësim të posaçëm të rrezikut dhe të ndërmarrin masat e nevojshme për të mbrojtur burimet dhe bashkëpunimin. Siguria kombëtare nuk ruhet duke hedhur dyshime të përgjithshme, por duke identifikuar me saktësi informacionin, rrezikun dhe përgjegjësinë,” deklaroi Softa.

Në këto rrethana, sipas tij, Kosova mund të rishikojë në mënyrë të fokusuar mekanizmat e shkëmbimit të informacionit me Shqipërinë, pa e shndërruar këtë rast në një justifikim për ndërprerjen e bashkëpunimit ndërinstitucional.

“Në një situatë të tillë, një rishikim i shënjestruar i sigurisë mund të jetë pjesë e përgjegjësisë institucionale. Por duhet të bëjmë dallimin midis rishikimit të masave të sigurisë dhe ndërprerjes së përgjithshme të bashkëpunimit. Shqipëria dhe Kosova kanë interesa të përbashkëta në luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit, kërcënimeve hibride dhe mbrojtjen e hapësirës euroatlantike. Ky bashkëpunim nuk duhet të dëmtohet mbi baza supozimesh, por duhet të mbështetet në protokolle të qarta dhe verifikime të domosdoshme. Institucionet kosovare mund të shqyrtojnë, brenda kompetencave të tyre, nëse ka nevojë për:

Kontroll të shkëmbimeve të informacionit që mund të jenë relevante.

Verifikim të procedurave të aksesit dhe ruajtjes së të dhënave.

Vlerësim të ekspozimit të mundshëm të burimeve ose informacioneve të ndjeshme.

Koordinim institucional me autoritetet shqiptare në përputhje me ligjin dhe detyrimet e konfidencialitetit.

Të garantohet se informacioni qarkullon përmes kanaleve të besueshme dhe të kontrolluara,” u shpreh ai.

Softa vlerëson se hetimi duhet të fokusohet jo vetëm te personi që mund të ketë kryer një shkelje potenciale, por edhe te mënyra se si kanë funksionuar mekanizmat institucionalë.

“Hetimi duhet të shkojë përtej identifikimit të personit që mund të ketë kryer një shkelje. Duhet të shqyrtohet edhe terreni institucional në të cilin ajo shkelje dyshohet se ka ndodhur.

Këtu shtrohen disa pyetje: Kush kishte akses në informacionin e prekur? A kanë funksionuar kontrollet e brendshme dhe mekanizmat e mbikëqyrjes? A ka pasur shkelje të procedurave apo mangësi strukturore? A ka ekzistuar një zinxhir përgjegjësie që duhet të hetohet? A janë marrë masa për të parandaluar ekspozimin e mëtejshëm të informacionit? Një institucion i sigurisë nuk matet vetëm nga aftësia për të reaguar pas një incidenti, por edhe nga aftësia për ta parandaluar atë dhe për të korrigjuar dobësitë që zbulohen,” tha eksperti.

Një tjetër dimension që del në pah nga ky rast është ndikimi i mundshëm në besimin e partnerëve ndërkombëtarë ndaj institucioneve shqiptare të inteligjencës.

Sipas Softës, një hetim i tillë mund të sjellë vlerësime shtesë të sigurisë, por nuk nënkupton automatikisht ndërprerje të bashkëpunimit.

“Besimi në fushën e inteligjencës ndërtohet përmes konfidencialitetit, kontrollit të aksesit, përgjegjshmërisë dhe respektimit të marrëveshjeve të bashkëpunimit.

Një hetim që lidhet me informacion të klasifikuar mund të sjellë nevojën për vlerësime të sigurisë nga partnerët. Kjo, megjithatë, nuk do të thotë automatikisht se bashkëpunimi ndërkombëtar është ndërprerë apo se të gjitha informacionet shqiptare janë vënë në dyshim. Partnerët vlerësojnë jo vetëm incidentin e mundshëm, por edhe mënyrën se si institucionet reagojnë: A hetohet çështja në mënyrë të pavarur? A identifikohen dobësitë? A merren masa korrigjuese? A garantohet vazhdimësia e mbrojtjes së informacionit? Besimi nuk kërkon heshtje ndaj problemeve. Besimi kërkon institucione që dinë t’i identifikojnë, hetojnë dhe korrigjojnë problemet me profesionalizëm,” theksoi Softa.

Për ekspertin e sigurisë, rasti duhet të shërbejë gjithashtu si moment për të analizuar mekanizmat e funksionimit të institucioneve të sigurisë në Shqipëri, veçanërisht sa i përket llogaridhënies, mbrojtjes së informacionit dhe kontrollit institucional.

“Një rast i tillë duhet të shërbejë si një moment reflektimi për sistemin e sigurisë kombëtare, pa pritur domosdoshmërisht përfundimin e hetimit për të shqyrtuar masat parandaluese.

Reforma duhet të mbështetet në disa shtylla: Përgjegjshmëri dhe llogaridhënie: Kontroll i qartë i funksionimit të institucioneve dhe i përgjegjësive drejtuese. Mbrojtje e informacionit: Rishikim i protokolleve të klasifikimit, aksesit dhe administrimit të të dhënave. Kontroll institucional: Mekanizma të pavarur dhe efektivë të mbikëqyrjes, sipas kompetencave ligjore. Profesionalizëm: Rekrutimi dhe promovimi i personelit mbi bazën e integritetit, aftësive dhe standardeve të sigurisë. Vazhdimësi institucionale: Garantimi që funksionet kritike të shërbimeve të inteligjencës nuk varen nga një individ i vetëm. Shqipëria ka nevojë për institucione të forta, profesionale dhe të qëndrueshme, ku siguria e informacionit nuk varet vetëm nga integriteti personal i drejtuesit, por nga një sistem kontrolli që funksionon në çdo nivel,” u shpreh ai.

Në përmbyllje, Softa nënvizon se rasti duhet të trajtohet duke ruajtur njëkohësisht procesin gjyqësor dhe domosdoshmërinë për të mbrojtur informacionin strategjik.

“Siguria kombëtare nuk mund të ngrihet mbi supozime, por as të ruhet duke anashkaluar rreziqet. Çështja e hetimit ndaj një drejtuesi të lartë të shërbimit inteligjent duhet të trajtohet me seriozitet, paanshmëri dhe përgjegjësi institucionale. Duhet të respektohet procesi gjyqësor dhe prezumimi i pafajësisë, ndërkohë që autoritetet kompetente duhet të vlerësojnë çdo ekspozim të mundshëm të informacionit të klasifikuar. Shqipëria dhe Kosova kanë nevojë për bashkëpunim të besueshëm në fushën e sigurisë. Ky besim nuk mbrohet përmes injorimit të problemeve, por përmes transparencës institucionale, kontrolleve profesionale dhe masave të përshtatura me rrezikun e vërtetuar. Në fund të fundit, pyetja nuk është vetëm se kush do të mbajë përgjegjësi për një shkelje të mundshme, por nëse institucionet tona janë të afta të mbrojnë informacionin strategjik, të ruajnë besimin e partnerëve dhe të garantojnë sigurinë kombëtare edhe në momentet më të vështira,” përfundoi eksperti i sigurisë, Fatjon Softa.

Vlora Hyseni u vendos në krye të Shërbimit Informativ të Shtetit në Shqipëri në muajin prill të vitit 2023. Përpara këtij emërimi, ajo kishte një përvojë të gjerë në institucionet e sigurisë në Kosovë, duke përfshirë edhe Agjencinë Kosovare të Inteligjencës.


Quantcast
sultanbeyli escortparla iptvjojobetGrandpashabet girişJojobetCasibomsupertotobetjojobetjojobetjojobetCasibomCasino welcome bonusjojobetcasibomjojobetcasibommarsbahis güncel girişjojobetsekabetholiganbet girişholiganbet girişholiganbet girişholiganbetholiganbetholiganbetholiganbetholiganbetmarsbahisjojobetfixbetholiganbetmarsbahiscasibomjojobetholiganbetroketbetzbahis