Lajmi i fundit

LIVE - Protesta para parlamentit/ Narkopolicia dhunon protestuesit

'Çfarë duhet t’ju bëjë më Rama? Ju kanë kthyer në organizatë kriminale'/ Këlliçi: Agasi ju ka marrë zvarrë

12:36, 24/09/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka folur sot në Kuvend, ku ka akuzuar mazhorancën se ka heshtur përballë një sërë skandalesh që kanë goditur institucionet dhe sigurinë kombëtare.

Duke iu drejtuar deputetëve socialistë, Këlliçi ngriti pikëpyetje mbi marrëdhëniet mes institucioneve të sigurisë dhe biznesmenit Ergys Agasi, duke iu referuar edhe komunikimeve të bëra publike mes këtij të fundit dhe ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni.

“Çfarë duhet t’ju bëjë më Edi Rama juve?”, u shpreh Këlliçi, ndërsa akuzoi deputetët socialistë se janë kthyer në një “organizatë kriminale”.

Ai përmendi më tej çështjet e inceneratorëve, sterilizimit, dializës, tunelit dhe KAYO-s, si dhe ngriti shqetësime për akuzat dhe përgjimet që lidhen me trafikun e armëve.

Këlliçi kërkoi që deputetët socialistë të distancohen nga ajo që ai e cilësoi si kapje të institucioneve dhe të reagojnë përballë situatës së krijuar.

“Nuk mund të fshihesh gjithë kohës pas rregullores, pas neneve dhe të harrosh të përmendësh një herë të vetme interesin kombëtar”, tha ai në Kuvend.

Fjala e tij:

Gjatë gjithë kohës i referoheni rregullores, por asnjëherë nuk ju kam dëgjuar, në një vit, t’i referoheni një herë të vetme ligjit apo interesit të qytetarëve. Keni qenë edhe ministër i Mbrojtjes, zotëri, keni pasur mbarëvajtjen e shërbimit informativ të ushtrisë dhe e dini shumë mirë si operojnë shërbimet informative.

Sot është një ditë e rëndë për çdo qytetar shqiptar. Ne të gjithë këtu kemi ardhur si deputetë të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe jo të Republikës së Krimit. Kemi detyrim para çdo qytetari të Republikës sonë. Kemi ardhur këtu, kemi bërë një betim, po e ripashë dhe një herë, jemi betuar këtu për nderin tonë se do të kryejmë me ndërgjegje detyrën si deputetë të popullit në Kuvend, do të përfaqësojmë denjësisht popullin, do t’i bindemi Kushtetutës dhe ligjeve, do të mbrojmë lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë, do të respektojmë dhe do të mbrojmë të drejtat dhe liritë e shtetasve dhe do të punojmë me gjithë fuqitë tona për përparimin e atdheut dhe mirëqenien e popullit tonë.

Por çfarë duhet të ndodhë, të dashur deputetë socialistë, që të tregoni që keni gjak, që keni dinjitet, që keni karakter? Do t’ju gjykojë historia, do t’ju gjykojnë fëmijët, motrat, vëllezërit, të afërmit, prindërit, nënat, baballarët, të gjithë.

Çfarë duhet t’ju bëjë më Edi Rama juve? Po ju ka marrë zvarrë Ergys Agasi, janë tallur me ju, ju kanë kthyer në një organizatë kriminale. Nuk mund të jeni të gjithë njëlloj, nuk jeni të gjithë deputetët njëlloj. E besoj shumë dhe që ju dhe grupi parlamentar nuk jeni të gjithë ushtarë të Ergys Agasit, nuk keni shkuar të gjithë te zyra e Ergys Agasit.

A e kuptoni që, ndërkohë që ne flasim, zoti Kryetar, dalin mesazhe se Vlora Hyseni, ajo që duhet të garantojë sigurinë e qytetarëve të Shqipërisë dhe duhet të garantojë sekretet e Aleancës së NATO-s, i shkruan Ergys Agasit dhe i thotë: “Të kalojnë çunat sonte sepse i kanë vënë veshin, pa merak, por të ndërrojnë numrin e telefonit”. I thotë se jeni vënë në përgjim, ndërroni numrat.

A e kupton çfarë duhet të ndodhë? Çfarë duhet të ndodhë në këtë vend? U kanabizua Shqipëria, nuk flet një fjalë. Kaloi sterilizimi, CEZ-i, inceneratorët, dializa, tuneli, kaloi KAYO para dy javësh, nuk the një fjalë. Ke qenë ministër i Mbrojtjes, dolën përgjime që është trafikant ndërkombëtar armësh. Roni Effeti me ministrin e Mbrojtjes, që ka 6 muaj, nuk kthen përgjigje. Në spitale nuk ka ilaçe. Kur do flasim për hallet e njerëzve?

A e kuptoni se çfarë ka ndodhur sot? Nuk është çështje PS-PD, është çështje që ka rënë shteti shqiptar. Kur do ta ngremë zërin? Do na gjykojë historia, do ikë kjo legjislaturë, do mbarojë ky mandat deputeti, do shkojmë nëpër shtëpitë tona, do shkojmë në familjet tona, por duhet me e pas njeriu një fije cipe. Minimumi, jo më shumë, një minutë duhet të ulemi, të kemi një konsensus kombëtar. Nuk është çështje politike kjo sot, nuk është çështje partiake kjo sot, kjo është çështje e shtetit shqiptar.

Ke flamurin kombëtar, është një çështje që duhet të kishte ngritur ty të parin. Je numri 2 i shtetit, duhet e kishte ngritur ty në këmbë, të kishe thirrur të gjithë përfaqësuesit këtu. Madje, duhet të kishim bërë edhe seancë pa kamera këtu, për të folur me njëri-tjetrin.

Problemi është që nuk mund të fshihesh gjithë kohës pas rregullores, pas neneve dhe të harrosh të përmendësh një herë të vetme interesin kombëtar.

Kjo, zoti Kryetar, duke nisur nga ky, nga ne të gjithë me radhë, do na bëjë një ditë të mendojmë shumë në raport me deklaratat që kemi dhënë këtu, qëndrimet që i kemi mbajtur dhe të vërtetat që i kemi thënë në këtë sallë Kuvendi.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco