Dy shtetas shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar janë ekstraduar drejt Shqipërisë nga Italia dhe Zvicra, ndërsa në Itali është arrestuar edhe një tjetër shqiptar, me qëllim ekstradimin e tij në vendin tonë.
Bëhet fjalë për Hasan Nderjakun, 38 vjeç, dhe Melsjon Kolajn (Murati), 28 vjeç, ndërsa në Itali është arrestuar Erjon Zanaj, 40 vjeç. Po ashtu në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar, është ekstraduar drejt Spanjës edhe Alvaro Bishaj, i shpallur në kërkim nga autoritetet spanjolle.
Hasan Nderjaku është ekstraduar nga Italia, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar. GJKKO, me vendimin e datës 30 prill 2025, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi i strukturuar kriminal”.
Sipas hetimeve, Nderjaku dyshohet se ka qenë pjesëtar i një grupi kriminal që ka trafikuar lëndë narkotike nga Amerika e Jugut drejt vendeve të Evropës. Ai dyshohet gjithashtu se ka investuar në aktivitete të ndryshme paratë e përfituara nga kjo veprimtari kriminale.
Masa e arrestit ndaj tij është caktuar në kuadër të operacionit “Ura”.
Nga Zvicra është ekstraduar Melsjon Kolaj (Murati), 28 vjeç. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Beratit, me vendimin e datës 17 mars 2025, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”, kryer në bashkëpunim.
Sipas autoriteteve, 28-vjeçari dyshohet se gjatë vitit 2024, në Berat, në bashkëpunim me dy persona të tjerë, ka dhunuar dhe kanosur disa herë shtetasin me inicialet P. Z., me qëllim marrjen e një shume parash.
Ndërkohë, Alvaro Bishaj është ekstraduar drejt Spanjës, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Madridi.
Autoritetet gjyqësore spanjolle kanë lëshuar më 14 dhjetor 2020 urdhër arresti ndaj tij për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Bishaj akuzohet se ka qenë pjesëtar i një organizate kriminale me bazë në Spanjë, e cila dyshohet se ka kultivuar dhe trafikuar Cannabis Sativa gjatë viteve 2019-2020.
Në Itali është arrestuar me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë edhe Erjon Zanaj, 40 vjeç, lindur në Vlorë.
Zanaj është dënuar në vitin 2018 me 3 vite burgim nga Gjykata e Vlorës për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”. Sipas të dhënave të autoriteteve, në vitin 2015, në banesën e tij u gjetën të kultivuara bimë narkotike.
Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me Interpol Romën për finalizimin e procedurës së ekstradimit të Zanajt në Shqipëri, ku ai pritet të vuajë pjesën e mbetur të dënimit, prej 2 vitesh burgim.













