Ish kryeagjentja Vlora Hyseni, teksa po hynte sot në GJKKO për vlerësimin e masës së sigurisë, përmes një mesazhi të koduar dhe me natyrë shantazhuese, i ka ‘fikur radarin’ gazetares Klodiana Lala, e njohur si Zonja Pretenca. Teksa Zonja Pretenca, me zellin që e karakterizon, po i përsëriste pyetjen nëse i kishte vënë në dispozicion Gys Agasit materiale sekrete, me mikrofonin që ia tundte para syve, befas ka marrë një përgjigje përvëluese nga Vlora Hyseni, e cila e ka pyetur Zonjën Pretenca për takime sipas saj me agjentë serbë në dhomat e Hotel Rogner në Tiranë.
Në përgjigjen e saj, ish shefja e sekreteve të Shqipërisë Vlora Hyseni la të kuptohej se SHISH ka mbledhur informacione për takime të Zonjës Pretenca me përfaqësues të shërbimeve serbe në Rogner. Nuk dihet nëse këto takime të pretenduara janë të konfirmuara nga SHISH apo kemi të bëjmë thjeshtë me një blof intimidimi, por Zonja Pretenca u trondit dhe i ndryshoi çehrja e fytyrës nga përgjigja e rrufeshme e kryeagjentes.
Një burim pranë Vlora Hysenit tha se jo vetëm Zonja Pretenca, por edhe analistë dhe gazetarë të tjerë janë rekrutuar nga shërbimi serb. Madje, kryeagjentja pretendon se pseudonimi i Zonjës Pretenca në dosjet e shërbimit serb është (кљун, kljun), që do të thotë ‘Sqep’.
Është hera e parë që ngrihen pretendime përmes mesazheve të koduara për lidhje të Zonjës Pretenca me shërbimet e jashtme jo miqësore. Zonja Pretenca njihet për dezinformim, deformim informacionesh për çorientim dhe ndonjë pazar të vogël me grupe kriminale, por jo si agjente. Gjithashtu, pastërtia morale e Zonjës Pretenca nuk është vënë kurrë në dyshim.
Janë disa gazetare të tjera, llahinga të kronikës së zezë dhe zhvillimeve politike, të cilat janë gjetur nga policia në dhoma hotelesh me personazhe të krimit të organizuar, në kërkim nga SPAK. Janë filmuar nga trafikantë analfabetë kokaine në hotele. Disa prej tyre janë monitoruar edhe për takime publike dhe intime me agjentë të dyfishtë dhe spiunë të shërbimeve të huaja.