Një i ri u plagos me armë në Manati të Lezhës, në rrethana ende të paqarta, dhe u transportua në Spitalin e Traumës. I plagosuri është Daniel Pikuli, i cili po drejtonte makinën Mercedes-Benz me xhama të zinj, që shihni në pamje.

Ngjarja ndodhi rreth orës 13:15, kur Pikuli po lëvizte nga fshati Manati në drejtim të Lezhës. Nga të dhënat e para hetimore dyshohet se ai është konfliktuar me disa të rinj të tjerë, banorë të zonës, për motive ende të panjohura. Burimet e policisë thanë se autorët janë identifikuar dhe po punohet për lokalizimin e tyre.

I plagosuri ka marrë disa plumba në bark dhe, pas ndihmës së parë në Spitalin e Lezhës, u transportua në Spitalin e Traumës për ndihmë të specializuar. Burime nga spitali thonë se Pikuli ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore, pasi ka marrë plagë të shumta në pjesën e barkut, teksa i është nënshtruar edhe një ndërhyrje kirurgjikale.

Njoftimi i policisë

"Rreth orës 13:15, në fshatin Manati, Lezhë, në rrethana ende të paqarta, është plagosur me armë zjarri shtetasi D. P., i cili është transportuar në Spitalin e Traumës, Tiranë, për ndihmë mjekësore.

Shërbimet e Policisë janë në vendngjarje dhe vijojnë kontrollet për kapjen e autorit/ëve. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes", njoftoi policia.