Tirana bëhet arenë botërore, Jurgen Uldedaj mbron titullin botëror në shtëpi
Jurgen Uldedaj do të rikthehet në ring për një nga sfidat më të rëndësishme të karrierës së tij.
Më 23 tetor 2026, Parku Olimpik “Feti Borova” në Tiranë do të shndërrohet në arenën e një mbrëmjeje të madhe të boksit profesionist.
Kampioni shqiptar do të mbrojë titullin botëror IBO në kategorinë Cruiserweight, ndërsa përballë tij do të ngjitet në ring australiani Blake Caparello, ish-kampion bote IBO në kategorinë Light Heavyweight. Caparello ka një eksperiencë të gjatë ndërkombëtare dhe në karrierën e tij ka sfiduar edhe Sergey Kovalev për titullin botëror WBO.
Uldedaj e fitoi titullin IBO në tetor të vitit 2025 në “O2 Arena” të Londrës dhe më pas realizoi me sukses mbrojtjen e parë në “Wembley Arena” më 30 maj 2026. Tashmë, kampioni shqiptar do të kërkojë të ruajë kurorën përpara publikut vendas.
Boksieri shqiptar ka një rekord prej 22 fitoresh dhe 1 humbjeje.
Përballja me Caparellon pritet të jetë një test i rëndësishëm për kampionin, duke pasur përballë një kundërshtar me eksperiencë të konsiderueshme në duelet për tituj botërorë.
Nga ana tjetër, Caparello vjen në Tiranë me synimin për të fituar titullin e dytë botëror IBO në karrierë. Australiani ka deklaruar se përvoja e tij do të jetë një faktor i rëndësishëm në përballjen e 23 tetorit.
Eventi organizohet nga Crown Boxing International, Blanko Sports dhe SES Boxing, në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Boksit. Përballja pritet të jetë një nga eventet më të rëndësishme të boksit profesionist të zhvilluara deri tani në Shqipëri.




