Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë, AGSH dënoi të enjten deklaratat e ish-drejtoreshës së Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni, ndaj gazetares investigative Klodiana Lala, duke i cilësuar ato si një përpjekje për shantazh ndaj saj.
“Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë dënon me termat më të ashpër shantazhin dhe sulmet e të dyshuarës së SPAK, ish-shefes së SHISH Vlora Hyseni ndaj gazetares Klodiana Lala,” thuhet në reagimin e AGSH-së.
Organizata theksoi se personat nën hetim duhet t’u përgjigjen institucioneve të drejtësisë dhe jo t’i kundërpërgjigjen pyetjeve të gazetarëve me akuza ndaj tyre.
“Çdo i dyshuar i drejtësisë duhet të japë llogari vetëm përpara drejtësisë, ndërsa shantazhet ndaj gazetarëve nuk mund të tolerohen,” shtoi AGSH, duke i kërkuar Hysenit të tërheqë deklaratat dhe SPAK-ut “që të shikojë me seriozitet këtë episod”.
Incidenti ndodhi ndërsa Hyseni po hynte në ambientet e Gjykatës së Posaçme, ku ishte thirrur për t’u marrë në pyetje lidhur me masën e sigurisë të vendosur ndaj saj.
Kur Lala e pyeti për marrëdhëniet e saj me biznesmenin Ergys Agasi, Hyseni nuk iu përgjigj pyetjes, por iu drejtua gazetares me pretendimin: “Klodi, si kalon ti në takime me agjentët serbë në dhomat e hotelit Rogner?”.
Lala e cilësoi deklaratën si një akuzë të rëndë dhe tha se Hyseni duhej të sqaronte se cilave takime u referohej.
Deklaratat ndaj Lalës vijnë dy ditë pasi Gjykata e Posaçme caktoi ndaj Hysenit masat e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe “pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme.
Ish-drejtoresha e SHISH është person nën hetim për veprat penale të “përkrahjes së autorit të krimit” dhe “zbulimit të akteve ose të dhënave sekrete”, në kuadër të procedimit penal nr. 20/1 të vitit 2025.
Hetimi lidhet me dosjen ndaj biznesmenit Ergys Agasi dhe hetimet e SPAK mbi tenderët e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, AKSHI. Sipas të dhënave të bëra publike mbi hetimin, prokurorët dyshojnë se Hyseni ka komunikuar me Agasin edhe gjatë periudhës kur ai ishte në kërkim dhe se informacione të klasifikuara të SHISH-it përfunduan në posedimin e tij.
Hyseni u paraqit të enjten në mesditë në GJKKO për t’u marrë në pyetje dhe për shqyrtimin e masës së sigurisë.
Klodiana Lala është një prej gazetareve investigative më të njohura në Shqipëri, me një karrierë prej rreth dy dekadash të fokusuar te krimi i organizuar, korrupsioni, sistemi i drejtësisë dhe lidhjet mes botës së krimit dhe politikës. Ajo punon në televizionin News24 dhe drejton emisionin investigativ “Në Shënjestër”.
Raportimet e saj për krimin e organizuar dhe korrupsionin janë shoqëruar ndër vite edhe me kërcënime dhe sulme. Në gusht të vitit 2018, banesa e prindërve të saj u qëllua me armë automatike ndërsa brenda ndodheshin familjarë të gazetares, përfshirë dy vajzat e saj të vogla. Askush nuk u plagos dhe autorët e sulmit nuk u identifikuan.






