Çfarë do të gjeni në brendësi
*Seanca plenare e Kuvendit u shoqërua sot nga tensionet dy ditë pas skandalit të SHISH që tronditi vendin pasi u zbulua sesi drejtoresha Vlora Hyseni ndihmonte biznesmenin në kërkim Ergys Agasi. Pavarësisht se demokratët kërkuan futjen e kësaj çështje për debat urgjent, socialistët e rrëzuan këtë kërkesë. *Kryedemokrati Sali Berisha e akuzoi Hysenin si “shërbëtore të Vuçiç dhe të Ramës” ndërsa paralajmëroi se në hetime ishin edhe disa zyrtarë të lartë socialistë. *Akuzave të Berishësi u përgjigj socialisti Blendi Klosi i cili e fajësoi demokratin se me deklaratat e tij po cënonte sigurinë kombëtare ndërsa pretendoi se socialistët nuk mbrojnë asnjë zyrtar nga përballja me drejtësinë. Pas kësaj deklarate foltorja u zaptua nga demokratët, ndërsa socialistët duartrokisnin Klosin. Kjo solli ndërprerjen e seancës për disa minuta. *Ndërkohë që zhvillohet seancë plenare, jashtë godinës së Kuvendit qindra qytetarë protestuan kundër qeverisë dhe klasës së vjetër politike. *Seanca u mbyll para kohe me miratimin e 2 projektligjeve me votat e socialistëve të cilët duke qenë se nuk donin të debatonin për skandalin e SHISH, u panë të përqendruar nëpër celularët e tyre.
Në Kuvend debatohej, deputeti i PS Vullnet Sinaj sheh gjithë vëmendje video të Enver Hoxhës

Një tjetër moment pikant është regjistruar në seancën e sotme plenare të Kuvendit ku deputetë të ndryshëm socialistë duket se nuk janë fort të përqendruar në zhvillimet e fundit të vendit.
Pas Shalsit dhe Ilva Gjuzit, edhe deputeti Vullnet Sinaj është filmuar teksa vëmendjen e plotë e ka përqendruar tek një video e ish-diktatorit Enver Hoxha.
Ndërsa në sallë zhvilloheshin debate të forta politike për skandalin e SHISH, Sinaj duket se ka ndjekur të fokusohet në ndjekjen e rrjeteve sociale ku sheh pamjet e ish-diktatorit shqiptar. Versus.al
Vendi “gëlon” nga skandali i SHISH dhe protestat, socialistët luajnë shah dhe bëjnë shopping online

Ndërkohë që jashtë Kuvendit po zhvillohen protesta dhe brenda sallës ka debate për skandalin e Shërbimit Informativ Shtetëror, socialistët duken krejt të relaksuar dhe të shpërqendruar nga situata aktuale e vendit.
Deputetja Ilva Gjuzi është filmuar teksa në telefon sheh opsione të ndryshme për të bërë shopping online.
Ndërsa deputeti Eduard Shalsi shihet teksa luan shah në telefon. Të gjitha këto veprime në kohën kur vendi përballet me skandale të njëpasnjëshme duken më së paku “të papërgjegjshme”.
Nga ana tjetër, deputetët demokratë dhe ata të partive të tjera opozitare kanë kërkuar debat urgjent me Ramën dhe shpjegime për skandalin e SHISH. Versus.al
“Ne s’mbrojmë askënd nga drejtësia”, PD rrethon Klosin, socialistët e duartrokasin ‘në sinkron’

Në situatën kur vendi vlon nga skandali më i fundit i SHISH, deputeti i Partisë Socialiste Blendi Klosi doli në foltoren e Kuvendit dhe kritikoi Berishën duke thënë se ky i fundit cënonte sigurinë kombëtare.
Pavarësisht se siguria është vënë në pikëpyetje të madhe nga skandali i fundit, Klosi nisi të numëronte akuzat ndaj Berishës për qeverisjen e tij. Ndërsa shprehej se PS nuk mbron asnjë zyrtar nga drejtësia, socialistët e tjerë nisën ta duatrokisnin në sinkron pavarësisht skandalit më të fundit të dalë në dritë nga hetimet e SPAK.
“Ti Sali nuk hoqe dorë nga akuzat. Ti godet institucionet dhe sigurinë kombëtare. Ne e kemi dëshmuar tashmë me fakte që ajo që kemi bërë me Reformën në Drejtësi do jetë standarti ynë. Në asnjë rast nuk do marrim asnjë funksionar në mbrojtje, nuk do shmangim nga përgjegjësia individuale çdo individ që përballet me drejtësinë e re”- tha Klosi mes të tjerash ndërsa u rrethua nga deputetët e Partisë Demokratike. Versus.al
“U solle si tuaf”, paralajmërimi i Berishës i doli i vërtetë, Peleshi: Më marsh të keqen!

Kryedemokrati Sali Berisha iu drejtua kryeparlamentarit Niko Peleshi duke i rikujtuar sesi nuk e kishte besuar kur i kishte thënë se po bëheshin plane për ta hequr nga posti i tij. Duke i përmendur komunikimet e fundit të zbardhura mes Agasit dhe Hysenit ku flitej për zëvendësimin e Peleshit me Ballën, Berisha kritikoi kreun e Kuvendit për faktin se nuk e kishte besuar. Ndërsa Peleshi iu përgjigj me fjalët: Më marrsh të keqen!
Kjo përgjigjie e tij u duatrokit nga socialistët. Ndërsa menjëherë më pas miratuan me shumicë votash kalendarin për vijimin e rendit të ditës pa futur zhvillimet për skandalin e SHISH. Versus.al
“Lëshonte në duart e bandave çdo sekret”, Berisha: Vlora Hyseni, shërbëtore e Vuçiç dhe Ramës

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha foli në Kuvend për skandalin e SHISH që tronditi vendin së fundmi. Ai tha se shefja e shkarkuar, Vlora Hyseni ishte emëruar më parë në atë post menjëherë pasi ishte shkarkuar në Kosovë.
Berisha bëri akuza të forta duke e konsideruar Hysenin si “shërbëtore të Vuçiç dhe Ramës”.
“Pasi shkarkohet për motive të forta po ato motive e sjellin atë këshilltare të padrinos dhe më pas në krye të SHISH. Emërimi i saj jashtë të gjitha kritereve përbën aktin më të papërgjegjshëm ndaj sigurisë së vendit. Emërimi i saj ishte në mënyrë absolute për një rol të dyfishtë. E kam deklaruar në atë kohë, e deklaroj dhe sot. Ajo ishte një shërbëtore e Vuçiç dhe Edi Ramës.
Por kjo është njëra anë. Ana më e zezë është se njeriu që kishte për detyrë sigurinë e vendit dhe qytetarëve bashkëpunonte me hanxharët e krimit, ishte anëtare e organizatës më të rrezikshme kriminale. Ishte njeriu që lëshonte në duart e bandave çdo sekret të këtij shteti. Ishte njeriu që me porosi të Gys Agasit shkarkonte secilin prej jush.
Ishte njeriu që ju thërriste juve në zyrë. Damian e ke parasysh ti, nuk je i vetmi ti. Uluzi shko e mere dosjen sa herë të del emri aty. Tragjikja është se është shembur piramida e sigurisë”- u shpreh Berisha mes të tjerash. Versus.al
"Ka rënë shteti", PD kërkon debat parlamentar me Ramën për skandalin e SHISH: Të japë shpjegime

Deputetët e Partisë Demokratike kanë kërkuar ndryshimin e rendit të ditës për seancën e sotme plenare.
Gjatë mbledhjes së krerëve të grupeve parlamentare, Gazment Bardhi kërkoi debat urgjent me kryeministrin Edi Rama për skandalin e zbuluar së fundmi falë aksionit të SPAK ku u arrestua shefja e SHISH, Vlora Hyseni dhe 2 persona të tjerë që kishin ndihmuar Ergys Agasin gjatë arratisë.
Demokratët kërkojnë që Rama të japë shpjegime në Kuvend me argumentin se një skandal i tillë ka shkaktuar rënien e konceptit të shtetit.
“Kuvendi i Shqipërisë nuk mund të qëndrojë indiferent”, thuhet në kërkesën e Grupit Parlamentar të PD-së, ku kërkohet gjithashtu që të diskutohen përgjegjësitë institucionale dhe masat që mund të ndërmerren për të parandaluar raste të ngjashme në të ardhmen.
PD e lidh çështjen edhe me sigurinë kombëtare dhe marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë, duke argumentuar se rasti kërkon një reagim parlamentar. Versus.al
Kuvendi mblidhet me 2 interpelanca në rend dite, jashtë godinës është paralajmëruar protestë

Sot në orën 10:00 nis seanca plenare në Kuvend ku në rend dite janë 2 interpelanca të kërkuara nga PD me ministrin e Mjedisit, Sofjan Jaupaj dhe ministren e Arsimit, Mirela Kumbaro.
Opozita kërkon informacione nga ministri Jaupaj se çfarë po ndodh me 10 kontejnerët me 2816 ton mbetje toksike që ndodhen prej vitesh tanimë në periferi të Durrësit.
Ndërsa nga ministrja Kumbaro kërkohet përgjigje për organizimin e kopshteve dhe çerdheve pasi sipas PD, janë bashkuar dhe kanë krijuar mbingarkesë të kapaciteteve duke arritur edhe në 70 fëmijë. Gjithashtu ngrihet çështja e mësimit me dy turne në shkollat e Sarandës dhe nëse ka një plan konkret për t’i dhënë fund kësaj problematike.
Në rend dite janë edhe disa projektligje, mes të cilave ai për dërgimin e trupave ushtarake në Gaza. Ndërkohë jashtë Kuvendit, qytetarët që protestojnë prej 114 ditësh kanë paralajmëruar tjetër protestë për të shfaqur kundërshtinë ndaj qeverisë dhe klasës aktuale politike.
Rendi i ditës:
I. Mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare në datën 24.9.2026, ora 10:00.
II. Rendi i ditës i seancës plenare është si më poshtë:
1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 17.9.2026.
2. Njoftime.
3. Interpelancë urgjente me Ministrin e Mjedisit, z. Sofjan Jaupaj, kërkuar nga një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.
4. Interpelancë urgjente me Ministren e Arsimit, znj. Mirela Kumbaro, kërkuar nga një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.
5. Projektligji “Për pjesëmarrjen e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në operacionin ushtarak të Forcës Ndërkombëtare të Stabilitetit, në Gaza”.
6. Projektligji "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.10236, datë 18.2.2010, “Për marrjen në kontroll të shoqërive me ofertë publike".
7. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.
III. Ngarkohen shërbimet e Kuvendit për publikimin e rendit të ditës të seancës plenare, njoftimin e anëtarëve të Kuvendit me anë të mjeteve të komunikimit elektronik, si dhe përgatitjen e dokumentacionit parlamentar që do të shqyrtohet.
IV. Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë. Versus.al

