Ish-drejtuesja e SHISH, Vlora Hyseni ka dalë nga ambientet e GJKKO-së, aty ku dhe u paraqitur këtë të enjte rreth orës 12:00.
Burime për mediat bëjnë me dije se togat e zeza kanë lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.
Kësaj here, Hyseni vendosi që të mos u përgjigjej asnjë prej gazetarëve dhe as të sulmonte ndonjë prej tyre, ndryshe nga sa bëri në momentin kur dhe u fut në ambientet e GJKKO-së, ku nuk ndali akuzat ndaj gazetares Klodiana Lala.
Ish-drejtoresha e SHISH-it dyshohet për “nxjerrje të sekretit shtetëror” dhe “përkrahje të autorit të krimit”.
Sipas SPAK, në automjetin e biznesmenit Ergys Agasi, i arrestuar në kuadër të hetimeve për aferën e AKSHI-t, janë gjetur nëntë faqe dokumente të klasifikuara si sekrete shtetërore, për të cilat Prokuroria dyshon se i janë vënë në dispozicion nga Hyseni.
Kjo e fundit është marrë në pyetje më 18 shtator nga SPAK, në cilësinë e personit që ka dijeni për marrëdhëniet e saj me biznesmenin. Hyseni ka pretenduar se komunikimet me Agasin kanë qenë në kuadër të bashkëpunimit të tij me SHISH-in, si informator, mirëpo nga mesazhet që kanë rrjedhur tanimë nëpër media nga dosja hetimore, marrëdhënia e tyre ka rezulton të jetë përtej asaj profesionale.
Në kuadër të hetimeve, SPAK ka evidentuar mbi 500 komunikime mes Hysenit dhe Agasit. Sipas Prokurorisë, në këto komunikime biznesmeni kërkonte dhe merrte informacione, përfshirë të dhëna mbi takime sensitive, ndërsa mes tyre janë shkëmbyer edhe materiale fotografike dhe video.

