Deputeti i PD-së Luçiano Boçi, në Kuvend tha se skandali i SHISH ka cenuar sigurinë e qytetarëve dhe sigurinë kombëtare. Ai kërkoi përgjegjësi dhe i bëri thirrje Ramës të japë dorëheqjen.
Ajo që na ka sjellë këtu në këtë parlament nuk është aftësia jonë personale, as dëshira jonë personale, por është përgjegjësia politike dhe publike. Dhe është kjo përgjegjësi politike dhe publike që na detyron ne të reagojmë ndaj kësaj situate.
Unë prisja reagimin nga ju, përfaqësues të Partisë Socialiste. Heshtja do ishte gjëja më e thjeshtë, por nuk e mendoja kurrsesi që ju këtu të dilni dhe të bëni teori politike e të mbroni të pambrojshmen. Dhe aq më tepër, nuk e mendoja kurrë që të duartrokisni
Po, është e vërtetë, ky SHISH-i, Shërbimi Informativ nuk është i joni. Po, është i krimit të organizuar. Po, është i Edi Ramës. Po, se i ka shërbyer dhe i shërben politikisht atij. Po, është shërbimi informativ i Vlora Hysenit, e cila nuk ra nga qielli, nuk erdhi për aftësitë e veta, u emërua nga Edi Rama, nga përgjegjësi kryesor i kësaj situate të krijuar në Shqipëri .
A e kuptoni që ka përgjegjësi politike dhe institucionale ky njeri? Dhe ky duhet të vijë këtu me dorëheqjen në dorë!
A e kuptoni çfarë i keni bërë shqiptarëve? I keni hequr sigurinë arsimore, sigurinë shëndetësore – kanë dalë në protestë ata – sigurinë e gjithçkaje të jetës. Ama i keni hequr sigurinë policore . Pse? Po, sepse [policia] është e krimit të organizuar . I keni hequr sigurinë qeverisë, se qeveria është në dorë të krimit të organizuar. Dhe madje i keni hequr perden e fundit të sigurisë: sigurinë kombëtare, sigurinë e së ardhmes, sigurinë e fëmijëve të tyre, sigurinë e atij të flamurit që e tundin me krenari kudo që janë
Ja keni bërë ju këtë lloj mënxyre! Mënyrën si keni qeverisur, mënyrën si i keni organizuar gjërat, mënyrën si i keni dhënë vend krimit të organizuar në ato reformat tuaja. Po, mo, keni bërë reforma që i rrini në regjim reformash dhe nuk i përfundoni asnjëherë. Dhe i bëni, kur i bëni, vetëm në interes tuaj.
Pra, kryereforma juaj, a e dini kush është? Reforma e krimit të organizuar! Kjo është kryereforma, sepse e kemi futur kudo, në çdo qelizë të shoqërisë dhe në çdo qelizë të politikës . Dhe për këtë, ajo përgjegjësia politike që na ka sjellë këtu duhet t’ju bënte që të reagonit dhe, bashkë me ne, të kërkonit dorëheqjen e kryeministrit dhe shpërndarjen e këtij parlamenti .