Mauro Icardi në telashe, merr gjobën e pazakontë që e penalizon deri në vitin 2099
Mauro Icardi është përballur me një masë të pazakontë në Argjentinë.
Autoritetet e Buenos Aires i kanë ndaluar drejtimin e automjetit deri në vitin 2099.
Nëse masa do të mbetet në fuqi deri atëherë sulmuesit argjentinas do i përfundonte dënimi në moshën 105 vjeçare.
Çështja nisi pas publikimit të një videoje në rrjetet sociale nga partnerja e tij, Eugenia “China” Suarez. Në pamje, ajo shihet duke udhëtuar në një makinë të drejtuar nga Icardi, ndërsa gjatë lëvizjes heq rripin e sigurimit dhe nxjerr një pjesë të madhe të trupit jashtë dritares.
Pas publikimit të videos, autoritetet e transportit në provincën e Buenos Aires kontrolluan situatën dhe konstatuan se liçenca argjentinase e Icardit ishte e skaduar. Për këtë arsye, u vendos masa parandaluese që ai të mos drejtojë automjet derisa të përmbushë procedurat e kërkuara.
Icardi, nga ana e tij, ka kundërshtuar vendimin dhe ka deklaruar se disponon një patentë italiane të vlefshme deri në vitin 2029. Megjithatë, autoritetet argjentinase kanë sqaruar se vlefshmëria e një patente të huaj nuk e zgjidh automatikisht çështjen, pasi ndikojnë edhe statusi i rezidencës dhe rregullat lokale për përdorimin e saj.
Tashmë, futbollisti duhet t’i nënshtrohet një vlerësimi përpara se të mund të pajiset me një liçencë të re në Argjentinë.




