
Zbulohet portreti i Shpëtim Aliut i cili u arrestua mbrëmjen e së mërkurës në Rusi me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë.
Aliu u shpall në kërkim nga SPAK në muajin qershor të këtij viti, pasi akuzohet sipas hetimeve se ka pasur një rol kyç në një rrjet ndërkombëtar të trafikut të kokainës.
Sipas dosjes hetimore të SPAK, Salvatore Aliu dyshohet se ka pastruar në Shqipëri të paktën 30 milionë euro, të siguruara nga aktivitetet kriminale.
Një rol të rëndësishëm në menaxhimin e parave dyshohet se ka pasur vëllai i tij, Isa Aliu, i cili rezulton të ketë në pronësi katër kompani, të përdorura, sipas hetimeve, për investime në pasuri të paluajtshme, vila, apartamente, troje dhe ndërtime, përfshirë struktura hoteliere në zona turistike.
Në qershor 2026, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar ndaj Aliut masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Sipas hetimeve, Salvatore Aliu përdorte platformën e komunikimit SKY dhe identifikohej me disa emra, mes tyre “Dala”, “Qero”, “Qerosi”, “Viktor” dhe “Albo Pelon”.
Në një komunikim të gushtit 2020 me vëllain e tij, Isa Aliu e informon se kishte në dispozicion 6 milionë euro. Dy javë më vonë, Salvatore Aliu e njofton se priste të merrte edhe 20 milionë euro të tjera.
Në komunikimet e zbardhura nga hetuesit, ai dyshohet se i jepte të vëllait udhëzime se si të fshiheshin paratë deri në momentin e investimit të tyre. Ndër sugjerimet ishte edhe vendosja e parave në fuçi 50-litërshe dhe groposja e tyre.
Hetimi nisi në vitin 2020
Hetimi që çoi në identifikimin e Salvatore Aliut ka nisur në maj të vitit 2020, pas një referimi nga Policia. Sipas SPAK, ai dhe persona me lidhje familjare dyshohet se ishin përfshirë në trafikun ndërkombëtar të kokainës nga Ekuadori drejt vendeve të Evropës.
Sipas akuzës, në rrjetin ku dyshohet se bënin pjesë edhe shtetas të huaj, Aliu kishte një rol drejtues, duke mbikëqyrur hallka të ndryshme të aktivitetit kriminal, nga sigurimi i kokainës dhe financimi i ngarkesave deri te furnizimi i grupeve të tjera.
Hetimet e SPAK përfshijnë periudhën 2019-2021. Sipas të dhënave të bëra publike nga prokuroria, rrjeti dyshohet se ka tentuar të fusë në Evropë rreth 50 tonë kokainë, ndërsa janë dokumentuar pesë episode të trafikimit në sasi të mëdha, ku janë sekuestruar afro 9 tonë kokainë.
Në dosjen hetimore përmenden edhe emra të tjerë të njohur të botës së krimit, ndërsa SPAK e lidh Aliun edhe me grupin e Jetmir Pepës.
Arrestimi i tij në Rusi pritet të pasohet nga procedurat ligjore për ekstradimin drejt Shqipërisë, ku ai do të përballet me akuzat e ngritura nga autoritetet shqiptare./Versus.al

