
Policia e Tiranës ka zhvilluar një plan të posaçëm kontrollesh dhe veprimesh operative për lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim.
Si rezultat i operacionit, janë kapur 8 shtetas, të kërkuar për vepra të ndryshme penale, ndërsa njërit prej tyre, i kërkuar për prodhim dhe shitje narkotikësh, iu gjet dhe sekuestrua një sasi lënde e dyshuar narkotike Cannabis Sativa.
Sipas Policisë, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda kundër Personit dhe Pronës, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, arrestuan shtetasin K. T., 39 vjeç. Ndaj tij Gjykata kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasja me dashje”, e mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, specialistët e së njëjtës strukturë arrestuan edhe shtetasin E. B., 31 vjeç, i dënuar me 2 vjet burgim për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”.
Ndërkohë, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, arrestuan shtetasin N. M., i dënuar me 4 muaj burgim për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”./Versus.al

