Ish-shefja e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni mbërriti në Gjykatën e Posaçme rreth orës 12:00, e shoqëruar në një makinë të Policisë së Shtetit, në ballafaqimin e parë me akuzat e zbulimit të akteve dhe të dhënave sekrete si dhe përkrahjes së autorit të krimit në favor të Ergys Agasit, një personazhi kontrovers i akuzuar për krijimin e një grupi kriminal me qëllim manipulimin e tenderave të AKSHI.
Në hyrje të Gjykatës së Posaçme, Hyseni u rrethua nga gazetarët dhe pyetjet e tyre për lidhjet me Agasin. Në vend të përgjigjes, Hyseni targetoi gazetaren e televizionit News 24, Klodiana Lala me një deklaratë shantazhuese, e cila u dënua njëzëri nga organizatat e mbrojtjes së lirisë së medias dhe komuniteti i gazetarëve.
Dy orë e gjysmë më pas, Hyseni doli pa thënë asnjë fjalë nga ambientet e Gjykatës dhe u shoqërua nga policia drejt shtëpisë së saj, ku do të vazhdojë të qëndrojë në masën e arrestit shtëpiak.
Gjykata e Posaçme njoftoi më pas se kishte lënë në fuqi masat e “arrestit në shtëpi” dhe “pezullimit nga detyra” ndaj Hysenit si dhe masat e “arrestit me burg” ndaj Fatjon Kalluçit, zyrtar i Institutit të Policisë Shkencore si dhe Embro Sulejmanit, punonjës i biznesit të njohur si “Kodra e Kuajve”.
Vlora Hyseni u shkarkua me urgjencë nga drejtimi i Shërbimit Informativ të Shtetit, pasi gjykata firmosi më parë urdhrin e arrestit të saj në shtëpi si dhe të pezullimit nga detyra. Ajo akuzohet se ndihmoi dhe përkrahu gjatë arratisë Ergys Agasin, duke i dhënë atij informacione sekrete.
Hetimi për aferën e AKSHI-it dhe operacioni për zbulimin e vendodhjes dhe kapjen e Agasit, mundësuan sigurimin e provave të reja për lidhjet e tij me funksionarë të lartë shtetërorë. Përveç ish-drejtores së AKSHI-it, Mirlinda Karçanaj dhe zëvendëses së saj, Hava Delibashi, të vendosura në shërbim të tij për përfitimin e tenderave, të martën u caktuan masa sigurimi dhe për shefen e Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni dhe një zyrtarin e Institutit të Policisë Shkencore, Fation Kalluçi.
Akuzat e ngritura ndaj Vlora Hysenit për përkrahje të Agasit ndërsa ishte në kërkim dhe dhënien atij të sekreteve shtetërore, vendosin në pikëpyetje sigurinë kombëtare. Provat e siguruara nga SPAK pas ndalimit të Agasit, në telefonat e tij dhe në automjet, ekspozojnë një lidhje të afërt mes Agasit dhe Hysenit, e cila i ka ofruar atij informacione e të dhëna të klasifikuara gjatë kohës që ai ishte në kërkim.
Sipas hetimeve të zhvilluara deritanimë nga SPAK ndaj Ergys Agasit, ka rezultuar se ai ka pasur influencë mbi një numër zyrtarësh të lartë dhe fuqi të deleguara nga pushteti politik. Ish- zv.kryeministri në arrati, Arben Ahmetaj e ka akuzuar atë publikisht se luante rolin e “një koordinatori” mes botës së nëndheshme të krimit të organizuar dhe qeverisë së kryeministrit Edi Rama.






