Teksa në Kuvend situata ishte e tensionuar, jashtë parlamentit qindra qytetarë protestonin për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, nisur edhe nga skandali i fundit. Në kundërpërgjigje, Policia e Shtetit nuk ka kursyer aktet e dhunës, ku ka pasur qytetarë të lënduar dhe pa ndjenja. Nën dhunën policore janë kryer edhe dhjetëra arrestime.
Jo vetëm në Kuvend, ku deputetët e opozitës kërkonin debat për skandalin e SHISH, por edhe jashtë seancës plenare, mijëra qytetarë u mblodhën si çdo të enjte, ku këtë herë thirrjet kryesore të protestuesve ishin pikërisht për skandalin që ka tronditur jo vetëm Shqipërinë.
Për të mos lejuar afrimin e protestuesve te Kuvendi, Policia kishte futur në shtetrrethim qendrën e kryeqytetit. Nga kryqëzimi i 1 Majit deri te Ministria e Brendshme, ishte krijuar një perimetër sigurie me gardhe metalike, ndërsa qindra efektivë ruanin këtë perimetër.
Teksa në Kuvend, opozita këmbëngulte që seanca të fokusohej te skandali i Vlora Hysenit dhe Ergys Agasit, jashtë sallës protestuesit tentuan disa herë të kapërcejnë gardhet metalike, por u përplasën me policinë te Ministria e Brendshme, ku disa prej protestuesve u shoqëruan me dhunë, mes tyre edhe vajza.
Pas këtyre përplasjeve, protestuesit tentuan të rikthehen te Rruga e Elbasanit, por gjatë ecjes në Bulevardin Gjergj Fishta, dhjetëra policë të Forcave Shqiponja u kanë zënë pritë protestuesve, ku ndaj tyre nuk kursyen as dhunën. Pamjet skandaloze janë këto që shihni në pamje, ku një i moshuar, që ndodhej në rrugë, u dhunua brutalisht nga një polic civil dhe disa të tjerë që tentuan t’i vendosin prangat.
Dhuna nuk u kursye as ndaj protestuesve të tjerë, mes tyre edhe shumë vajza që prej muajsh protestojnë kundër korrupsionit qeveritar.
Policia ka shoqëruar edhe së paku 17 protestues, ndërsa disa nga aktivistet treguan edhe momentet skandaloze të dhunës dhe shoqërimit të disa prej vajzave në protestë.
Qytetarët kanë paralajmëruar se nuk do të ndalin qëndresën e tyre, ndërkohë që të gjitha arrestimet e deritanishme të policisë janë rrëzuar nga gjykata, që i ka cilësuar të paligjshme.
© SYRI.net