Përplasja për Vlora Hysenin, Koçeku: Për kryeministrin katundi vend thashethemesh, për mua vendi ku mbahet fjala

Deputetja Marjana Koçeku ka komentuar zhvillimet e fundi për Vlora Hysenin për të cilën akuzoi kryeministrin Rama se në kohën kur e propozoi dha garanci, por tani që është në hetim nga SPAK nuk kërkoi falje.
Në fjalën e saj në Kuvend, deputetja e pavarur komentoi edhe reagimin e kryeministrit Rama, i cili tha se përgjegjësia është individuale.
Sipas saj, çështja qëndron te përgjegjësia e personit që garanton për dikë tjetër.
“Këto ditë kemi dëgjuar dy teza, njëra thotë ‘ra shteti’, tjetra thotë ‘u poq demokracia’. Unë dua të flas për një fjalë tjetër sot. Kryeministri e shkarkoi po atë ditë dhe shkruajti prej Nju Jorkut se fajësia është një çështje individuale.
Ka të drejtë, fajësia është çështje individuale. Garancia nuk ishte, garancinë e dha ai. Prej Nju Jorkut kërkoi edhe ndjesë për vonesën e reagimit për shkak të orareve, por për garancinë jo. Për kryeministrin katundi është vend thashethemesh.
Për mua është vendi ku fjala mbahet. Te ne, ai që garanton për tjetrin quhet dorëzanë. E dorëzania nuk thotë çështje individuale. Dorzani del vetë e përgjigjet”, tha Koçeku.


