
Gjykata e Posaçme ka lënë në fuqi masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për ish-drejtoreshën e SHISH, Vlora Hyseni.
Vendimi është marrë këtë të enjte, më 24 shtator, pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për marrjen në pyetje të Hysenit, e cila është person nën hetim.
Sipas njoftimit zyrtar të GJKKO-së, me vendimin nr. 69, datë 24.09.2026, gjyqtarja Flojera Davidhi vendosi vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi”, të parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale.
Gjykata ka vendosur gjithashtu ndalimin e publikimit, tërësisht ose pjesërisht, të vendimit gjyqësor deri në përfundim të hetimeve paraprake, në bazë të nenit 103 të Kodit të Procedurës Penale.
Seanca gjyqësore u zhvillua me dyer të mbyllura dhe zgjati rreth dy orë e 20 minuta. Pas daljes nga GJKKO, Vlora Hyseni nuk iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve lidhur me përgjimet e SPAK.
Në njoftimin e saj, GJKKO bën me dije se kërkesa e Prokurorisë së Posaçme është paraqitur më 23 shtator 2026 dhe lidhet me marrjen në pyetje të Vlorës Hyseni, ndaj së cilës ishte caktuar më herët masa e sigurimit “Arrest në shtëpi”.
Hetimet për çështjen vijojnë, ndërsa gjykata ka kufizuar publikimin e vendimit deri në përfundimin e fazës së hetimeve paraprake.


