“Stabiliteti strategjik” është sërish fjala kyçe e vizitës së Xi Jinping në Shtëpinë e Bardhë, ashtu siç ishte gjatë udhëtimit të Donald Trump në Kinë në maj. Vizita ishte përgatitur deri në hollësitë më të vogla.
Pas pritjes mbrëmë në aeroport — hera e parë që nga viti 1962 që një president amerikan pret personalisht një udhëheqës të huaj në momentin e mbërritjes — Xi Jinping dhe bashkëshortja e tij, Peng Liyuan, mbërritën këtë mëngjes në Shtëpinë e Bardhë me Hongqi N701, makinën që është ekuivalenti kinez i “Bishës” së presidentit amerikan. Në Portikun Jugor i pritën Donald dhe Melania Trump, me shtrëngime duarsh dhe disa rrahje miqësore në shpatull nga presidenti amerikan.
Më pas, Trump dhe Xi mbajtën deklaratat e tyre pas ekzekutimit të himneve kombëtare. Ata folën me radhë nga podiumi, me përkthim të njëpasnjëshëm, ndërsa bashkëshortet e tyre qëndronin ulur pranë dhe delegacionet përballë njëri-tjetrit. Të dy falënderuan njëri-tjetrin për mikpritjen.
Trump njoftoi se do të bisedojnë për “sigurinë, teknologjinë dhe superinteligjencën” — termi i ri që ka vendosur të përdorë për inteligjencën artificiale — por mbi të gjitha theksoi “miqësinë vërtet të madhe” mes tyre.
Deklaratat e Xi ishin më pak personale. Pasi falënderoi për pritjen, ai foli për gjeopolitikën, duke thënë se interesat e dy vendeve janë të ndërthurura ngushtë. Ai e mbylli fjalën duke thënë se “rilindja e madhe e kombit kinez dhe ‘Make America Great Again’ mund të ecin krah për krah”.
“Si Kina, ashtu edhe Shtetet e Bashkuara janë vende të mëdha dhe popujt tanë janë popuj të mëdhenj”, tha udhëheqësi kinez. Sipas tij, për të përballuar ndryshimet në botë dhe problemet e sotme, dy vendet duhet të bashkëpunojnë, sepse kanë “përgjegjësinë historike për të çuar përpara zhvillimin dhe përparimin e njerëzimit”.
Xi tha se ai dhe Trump janë dakord të ndërtojnë një marrëdhënie të mbështetur te “stabiliteti strategjik”, për ta drejtuar “anijen gjigante të marrëdhënieve SHBA–Kinë” drejt një të ardhmeje të qëndrueshme. Ai bëri thirrje për “ndërtimin e besimit të ndërsjellë” përmes dialogut dhe shprehu shpresën që kompanitë kineze të trajtohen në mënyrë të drejtë në Amerikë. Sipas tij, dyert e Kinës janë të hapura për kompanitë amerikane që duan të investojnë atje.
Xi foli edhe për angazhimin që inteligjenca artificiale të mbahet nën kontrollin e njeriut dhe t’i shërbejë “së mirës së popullit”. Ai tha se konkurrenca duhet të jetë e shëndetshme dhe të qëndrojë brenda kufijve: “Duhet të jetë një garë për të arritur njëri-tjetrin, jo një përleshje ku njëri humbet dhe tjetri fiton.”
Në këtë kontekst, Xi kërkoi që ushtritë e dy vendeve të mbajnë dialog të vazhdueshëm dhe të përmirësojnë mekanizmat e komunikimit dhe të parandalimit të krizave. “Kurthi i Tukididit mund të kapërcehet”, tha ai, duke iu rikthyer një shprehjeje që e kishte përdorur edhe gjatë takimit të majit.
Shprehja vjen nga historiani grek Tukididi, autor i rrëfimit për Luftën e Peloponezit mes Athinës dhe Spartës në shekullin V para erës sonë. Sipas tij, ngritja e Athinës dhe frika që kjo shkaktoi te Sparta e bënë luftën të pashmangshme. Prej kësaj lindi ideja se rreziku i përplasjes rritet kur një fuqi në ngritje sfidon një fuqi dominuese.
Athina ishte fuqia që po zgjerohej ekonomikisht, ushtarakisht dhe në det, ndërsa Sparta përfaqësonte rendin mbizotërues në botën greke. Rivaliteti mes tyre çoi në Luftën e Peloponezit, e zhvilluar nga viti 431 deri në vitin 404 para erës sonë, e cila në fund i dobësoi të dyja.
Shprehjen moderne “kurthi i Tukididit” e bëri të njohur politologu i Harvardit, Graham Allison, veçanërisht në librin Destined for War, kushtuar marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës. Sipas tij, ndryshimet në raportin e fuqisë mes shteteve të mëdha shoqërohen shpesh me tensione, frikë të ndërsjellë, nacionalizëm dhe gabime në përllogaritje, të cilat mund ta bëjnë luftën më të mundshme edhe kur asnjëra palë nuk e dëshiron shprehimisht.
Projekti “Thucydides Trap” i Universitetit të Harvardit analizoi 16 raste gjatë pesë shekujve të fundit, kur një fuqi në ngritje sfidoi një fuqi dominuese. Në 12 prej tyre, rivaliteti përfundoi në luftë.
Xi Jinping e ka përdorur prej vitesh këtë referencë në bisedimet me presidentët amerikanë, nga Barack Obama te Joe Biden. Mesazhi i tij është se Uashingtoni nuk duhet ta shohë ngritjen e Kinës si një kërcënim që çon pashmangshëm në luftë. Sipas kësaj qasjeje, konkurrenca strategjike mes dy fuqive duhet të menaxhohet për të shmangur një konflikt të hapur, sidomos për çështje të ndjeshme si Tajvani, tregtia dhe teknologjia.
Në fund, Xi ftoi 100 mijë të rinj amerikanë të vizitojnë Kinën për shkëmbime kulturore dhe studime gjatë pesë viteve të ardhshme. Ai riktheu edhe “diplomacinë e pandave”, duke njoftuar se dy panda, Pingping dhe Fushuang, do të mbërrijnë së shpejti në kopshtin zoologjik të Atlantës.
Por, përtej pritjes madhështore dhe njoftimit të sekretarit amerikan të Thesarit, Bessent, se armëpushimi për tarifat doganore do të zgjatet edhe me dy muaj, deri më 10 janar, pritshmëritë për përparime të mëdha në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve themelore janë të pakta. Këto përfshijnë të ardhmen e Tajvanit, garën për inteligjencën artificiale, si edhe mbështetjen e Pekinit për Iranin dhe për luftën e Rusisë në Ukrainë.
Për Trump, përparësi duket të jetë forcimi i marrëdhënies personale me Xi. Megjithatë, edhe mes mbështetësve të tij, përfshirë krahun e djathtë MAGA dhe republikanët në Kongres, ka njëfarë pakënaqësie për pritjen që iu rezervua udhëheqësit kinez.
Sot në Shtëpinë e Bardhë mbizotëron një atmosferë e ngarkuar. Jashtë ndërtesës, zyrtarë kinezë bënin fotografi përkujtimore, ndërsa gazetarët e ardhur nga Pekini mbushën sallën e konferencave për shtyp. Njëri prej tyre mbante në shpatull mbishkrimin “officer”. Ndërkohë, gazetarëve të CNN, Politico dhe MS Now thuhet se iu ndalua hyrja gjatë paradites, megjithëse një gjykatës kishte vendosur se Shtëpia e Bardhë duhej t’i lejonte të hynin.

Foto: Peng Liyuan, Xi Jinping, Melania dhe Donald Trump
Peng Liyuan, bashkëshortja e udhëheqësit kinez Xi Jinping, e cila u ul përkrah zonjës së parë të SHBA-së Melania Trump është një soprano e Ushtrisë Çlirimtare Popullore dhe këngëtare e muzikës popullore kineze.
Me origjinë nga provinca lindore Shandong e Kinës, Peng filloi të merrte trajnime profesionale vokale në moshën 16 vjeç dhe u bashkua me një trupë ushtarake arti performues kur ishte 20 vjeç.
Peng, 63 vjeç, është martuar me Xi që nga viti 1987. Ata kanë deklaruar e dinin që në takimin e tyre të parë se ishin të destinuar për njëri-tjetrin, sipas një interviste që Peng dha me median shtetërore kineze.
Peng i është bashkuar rregullisht Xi-së në turnetë e tij jashtë vendit që kur ai mori detyrën më shumë se një dekadë më parë. Zgjedhjet e saj të modës, shpesh të guximshme, bien ndesh fort me veshjet më të moderuara të paraardhësve të saj, ndërsa roli i saj aktiv në shëndetësi dhe mirëqenie është bërë pjesë e paketës që Pekini dëshiron të projektojë jashtë vendit.

Foto:Xi Jinping
Presidenti kinez Xi Jinping nga Shtëpia e Bardhë theksoi se si Kina ashtu edhe SHBA-ja janë 2 kombe që duhet të kenë përgjegjësinë kryesore për përdorimin e inteligjencës artificiale.
“Si Kina ashtu edhe Shtetet e Bashkuara janë kombe kryesore në inteligjencën artificiale. Ne kemi si aftësinë ashtu edhe përgjegjësinë për të zhvilluar dhe menaxhuar inteligjencën artificiale për të mirën, dhe për të siguruar që zhvillimi i saj të jetë gjithmonë nën kontrollin njerëzor dhe t'i shërbejë mirëqenies së njerëzve", tha Xi në shtëpinë e Bardhë.







Komente
Komento