Po e gjitha nis nga sot!
Ish-shefja e SHISH rrëfeu publikisht atë që mendonim nën zë, teksa lexonim lajmet, sjelljen e papjekur institucionale. Krejt banale, sikur të ishte një administratore pallati dhe jo drejtuesja e SHISH.
Edhe sikur deklarata e saj mbi Klodiana Lalën të ketë bazë, një drejtuese nuk del dhe “lajthit” ashtu, sado e rënduar që të jetë psikologjikisht.
Edhe pse unë, në të gjitha shkrimet e mia, nuk e kam mbështetur asnjëherë shpërndarjen e lajmeve nga SPAK për të ngritur rënien e madhe të bisedave rozë, vetë Vlora Hyseni nuk pati fuqinë të mos binte në këtë kurth.
Biseda që demonstrojnë vetëm një fakt, papjekurinë e saj institucionale dhe, padyshim, shpërdorimin që ajo i ka bërë privilegjit.
Po muhabetet e drejtuesve të SHISH janë të vjetra dhe kjo s’ka të bëjë fare me relativizimin, por me një fakt të thjeshtë, ata janë gjithmonë në anën e “hijes së dyshimtë, hijes së rëndë, hijes së nëndheshme”, që fatkeqësisht Vlora na e nxorri si një bisedë adoleshentësh.
Nga kushdo mund të tolerohet shprehja “Edhe unë njeri jam”, po jo nga kreu i SHISH.
Mungesa e vëmendjes mbi këtë shërbim, duke e konsideruar atë vetëm nga emri si të madh, ka çuar situatën në këtë pikë. Ja që ndodh që dhe në pozicione kyçe një drejtuese humbet kodin e punës, kodin e përmbajtjes dhe përfshihet deri aty sa të rrëfejë ç’bën Kryeministri apo dhe një gazetare këtej apo andej.
Po përveç rrëfimit, më e rënda është ulja e nivelit të drejtuesit, si në muhabetet e kopshtit: “Po lëpive gjalpin, unë të marr çokokremin”.
Ndaj kjo histori, mbi të gjitha, është kaq e shëmtuar dhe njëlloj si një panoramë adoleshentësh, që ti i sheh nga dritarja e kuzhinës tek zihen se kush ka të drejtë, Noizy apo Stresi.
E në fund, kjo i rëndon shumë Shqipërisë, imazhit të saj. Nga ata që lëshuan këto lajme sikur gjasme po kapin “kreun e SHISH” për statistikën e radhës, e deri te Vlora vetë, që edhe pse e mirëpritur në komunitetin tonë, nuk arriti të kishte vetëkontrollin më minimal.
Po Shqipërisë nuk i duhen më këto histori thashethemnaje, njëlloj si ajo njolla që na ndjek nga fragmenti i famshëm në “Kronikë në gur”, ku gratë, për të parë nderin e nuses, merrnin dylbitë dhe shihnin çarçafin.
Shqipëria ka nevojë për pjekuri dhe çdo kosto në këtë drejtim lë shkak për parullën që na ndjek prej më shumë se 2 mijë vjetësh, atë që jemi të pazotë.
Edhe një gruaje me emrin Vlora nuk i takonte të na jepte këtë barrë.
Lini një Përgjigje