Policia e Tiranës ka zhvilluar një operacion të posaçëm për lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim. Në kuadër të kontrolleve dhe veprimeve operative, janë arrestuar 8 persona, të kërkuar për vepra të ndryshme penale, nga krimet e rënda dhe armëmbajtja pa leje, te narkotikët, vjedhja dhe falsifikimi i dokumenteve.
Sipas Policisë, një prej personave të kërkuar për veprën penale të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve është kapur me një sasi të dyshuar Cannabis Sativa, e cila është sekuestruar si provë materiale.
Në pranga kanë përfunduar:
- K. T., 39 vjeç, ndaj të cilit ishte caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, i dyshuar për “Vrasje me dashje”, mbetur në tentativë, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
- E. B., 31 vjeç, i dënuar me 2 vite burgim për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”.
- N. M., i dënuar me 4 muaj burgim për “Falsifikimin e dokumenteve”.
- S. V., 18 vjeç, i shpallur në kërkim nga DVP Elbasan për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
- K. Xh., i dënuar me 3 muaj burgim për veprën penale “Vjedhja”.
- R. L., 26 vjeç, i dënuar me 3 muaj burgim për “Prishjen e qetësisë publike”. Sipas Policisë, atij i kanë mbetur për të vuajtur edhe 1 muaj e 3 ditë burgim.
- O. N., 30 vjeç, ndaj të cilit ishte caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
- K. M., 29 vjeç, i shpallur në kërkim për “Prodhimin dhe shitjen e narkotikëve”. Gjatë ndalimit, policia i gjeti një sasi të dyshuar Cannabis Sativa, e cila u sekuestrua.
Operacioni u zhvillua nga strukturat e ndryshme të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me komisariatet e kryeqytetit dhe Forcën e Posaçme Operacionale.
Pas arrestimeve, materialet procedurale janë referuar në Prokurori për veprime të mëtejshme.

