Dritan Lena është prezantuar zyrtarisht si drejtori i ri i Drejtorisë Vendore të Policisë Berat, duke marrë drejtimin e strukturës pas largimit të Luigj Vathit.
Ceremonia e prezantimit u zhvillua në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Berat, në prani të zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, drejtues i lartë Sokol Bizhga si dhe drejtuesve dhe punonjësve të strukturave të Policisë së Beratit.
Gjatë fjalës së tij, Sokol Bizhga vlerësoi kontributin e deritanishëm të Dritan Lenës dhe theksoi rëndësinë e vijimit të punës me përkushtim dhe profesionalizëm. Në fokus, sipas tij duhet të jetë përmbushja e misionit të Policisë së Shtetit, garantimi i rendit dhe sigurisë publike, parandalimi dhe goditja e paligjshmërisë, si dhe forcimi i bashkëpunimit me komunitetin dhe institucionet e tjera.
Ndërkohë që vetë Lena deklaroi gjatë fjalës së tij se angazhimi i tij do të jetë i orientuar drejt rritjes së sigurisë në të gjithë territorin e qarkut Berat dhe përmbushjes me përgjegjshmëri të detyrave ligjore.
Lena vjen në krye të Policisë së Beratit pas një periudhe vakance në këtë post, që pas largimit të Luigj Vathit. Para emërimit të tij si drejtues i DVP Berat, Dritan Lena mbante detyrën e Shefit të Sektorit të Planifikimit Operacional në Drejtorinë e Forcës Kombëtare të Sigurisë.
