Të mësosh kur je vetëm nuk është njësoj si të mësosh kur dikush të vëzhgon. Një studim i ri sugjeron se te njerëzit me ankth social, truri bëhet më i ndjeshëm ndaj vetë situatës sociale dhe ndryshon mënyrën se si rrjetet e tij bashkëpunojnë gjatë të mësuarit.
Hanjie Liu dhe Melle pander Molen nga Universiteti i Leidenit studiuan 146 të rinj, të cilët luajtën një lojë ku duhej të mësonin përmes provave dhe gabimeve. Secili e luajti lojën dy herë: një herë vetëm dhe një herë ndërsa vëzhgohej nga një studiues.
Pjesëmarrësve iu shfaqën çifte simbolesh japoneze dhe duhej të zgjidhnin njërin. Më pas merrnin përgjigjen “Saktë” ose “Gabim”. Me kalimin e provave, ata përmirësonin zgjedhjet, por të mësuarit ishte më i ngadaltë kur dikush i vëzhgonte
Sa më i lartë të ishte niveli i ankthit social i raportuar nga pjesëmarrësit, aq më pak rehat ndiheshin gjatë vëzhgimit.
Gjatë eksperimentit, studiuesit regjistruan aktivitetin elektrik të trurit me një EEG me 64 sensorë. Ata u përqendruan te një ritëm i ngadaltë i trurit, i quajtur thetafronto-mesore, i cili lidhet me të mësuarit nga reagimet dhe gabimet.
Analiza tregoi dy rrjete kryesore të trurit. I pari lidhej me reagimin ndaj gabimeve dhe rezultateve më të mira ose më të këqija nga sa pritej. I dyti lidhte zonat ballore me zonat vizuale në pjesën e pasme të trurit dhe ishte më i ndjeshëm ndaj situatës sociale.
Kur njerëzit luanin vetëm, ky rrjet pasqyronte ndryshimin mes asaj që prisnin dhe asaj që ndodhte realisht. Kur dikush i vëzhgonte, kjo lidhje nuk ishte më e dukshme.
Një tjetër gjetje ishte se njerëzit me më shumë ankth social kishin lidhje më të forta mes këtyre rrjeteve. Ky bashkërendim lidhej me rezultate më të mira kur detyra ishte e lehtë. Kur detyra bëhej më e vështirë, lidhja shkonte në drejtim të kundërt, drejt një të mësuari më të dobët, megjithëse kjo gjetje ishte vetëm një prirje dhe nuk ishte mjaftueshëm e fortë statistikisht.
Studiuesit mendojnë se ankthi social nuk e prish mekanizmin e të mësuarit, por e përshtat atë me praninë e të tjerëve.
Studimi ka kufizime. Nga 146 pjesëmarrës, 129 ishin gra, të gjithë ishin 18–25 vjeç dhe asnjëri nuk kishte diagnozë të çrregullimit të ankthit social. Prandaj, nuk dihet nëse të njëjtat rezultate vlejnë për burra, grupmosha të tjera ose persona me ankth social të diagnostikuar.
Studiuesit planifikojnë të përfshijnë grupe më të ndryshme dhe të shqyrtojnë edhe ritme të tjera të aktivitetit të trurit që mund të ndikojnë në të mësuar. /Earth












