


Një 63-vjeçar nga Saranda, Fatos Muço, ka mbetur i plagosur rëndë gjatë një konflikti 8 ditë më parë dhe, pas marrjes së ndihmës së parë në Sarandë, u transportua me urgjencë drejt Tiranës, ku ndodhet i intubuar.
Për ngjarjen e ndodhur më 16 shtator, Gjykata e Sarandës vendosi masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për Bernard Kaninën, i dyshuar për plagosjen.
Sipas materialeve të dosjes, rreth orës 16:25, patrulla e Forcës së Posaçme “Shqiponja” është njoftuar për një konflikt në zonën e “Mandres së Pirove”. Efektivët kanë shkuar në vendngjarje, ku kanë konstatuar disa persona, mes tyre Bernard Kaninën dhe djalin e tij.
Kanina ka deklaruar se konflikti nisi pasi kishte marrë informacion se një person ishte futur në makinën e tij dhe kishte marrë telefona. Ai ka treguar se e kishte ndjekur me automjet deri në kthesën e Mandrës, ku e kishte përballur 63-vjeçarin.
Sipas versionit të të dyshuarit, fillimisht Muço e ka goditur me një shkop, ndërsa ai i është kundërpërgjigjur. Më pas, sipas Kaninës, 63-vjeçari ka nxjerrë një thikë nga xhepi dhe është përpjekur ta godasë. Në këtë moment, ndërhyrja e djalit të tij ka bërë që thika të merret dhe të hidhet në tokë.
Mjeti prerës dhe një pincë janë dorëzuar më pas në polici nga një grua, e cila ka deklaruar se me thikën ishte kërcënuar vëllai i saj.
Ndërkohë, efektivët kanë gjetur Fatos Muçon të gjakosur dhe me dëmtime në pjesën e ballit. Ai është transportuar në spital dhe më pas është nisur drejt Tiranës, ku për shkak të gjendjes së rënduar është intubuar.
Versioni i Bernard Kaninës për ngjarjen është vënë në pikëpyetje edhe nga pronarja e lokalit ku ai pretendon se kishte qëndruar duke pirë kafe. Ajo ka deklaruar se Kanina nuk ka qenë në ambientet e lokalit atë ditë, ndërsa ka sqaruar se biznesi i saj nuk shërben kafe, por vetëm fast food.
Hetuesit nuk kanë mundur të sigurojnë pamje filmike të konfliktit. Gjithashtu, marrja e dëshmisë së viktimës nuk ka qenë e mundur për shkak të gjendjes së tij të rënduar shëndetësore.
Në këto kushte, duke marrë në konsideratë edhe dëmtimet e rënda në kokë të 63-vjeçarit, gjykata ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për Bernard Kaninën. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të plagosjes vijojnë./Versus.al

