12 vite pas aksidentit që ndryshoi përgjithmonë jetën e Michael Schumacher, bashkëshortja e tij, Corinna, ka ndarë rrëfime të rralla për lidhjen e tyre, kujtimet nga vitet e para të martesës dhe jetën e familjes larg vëmendjes së publikut.
Corinna shfaqet në dokumentarin e ri të Netflix, “Schumacher ’94: The Birth of a Legend”, i cili rikthehet te sezoni i vitit 1994, kur Michael Schumacher fitoi titullin e tij të parë botëror në Formula 1 me Benetton.
Duke kujtuar fillimet e marrëdhënies së tyre, Corinna tregon se kënga “Rush Rush” e Paula Abdul kishte një kuptim të veçantë për çiftin dhe ende sot i zgjon emocione të forta.
“Ajo ishte kënga jonë atëherë. Kur e dëgjoj sot dhe jam në makinë, qaj me vete”, rrëfen ajo.
Corinna kujton edhe reagimin e nënës së saj në fillimet e lidhjes me pilotin gjerman. Sipas saj, nëna nuk e kishte mbështetur menjëherë marrëdhënien, ndërsa një prej arsyeve ishte fakti se Michael kalonte shumë kohë në pistën e kartingut, gjë që kishte krijuar një përshtypje jo të mirë tek ajo.
Në dokumentar, Corinna ndan edhe histori nga vitet e para të karrierës së Schumacher. Ajo tregon se piloti merrte një numër të madh letrash nga fansat dhe se mes tyre ishte edhe një vajzë e quajtur Jutta, e cila i dërgonte vazhdimisht të brendshme së bashku me letrat. Sipas Corinnës, emri i saj u kthye më pas në një shprehje të përdorur shpesh nga Schumacher.
Duke folur për emocionet që përjetonte gjatë garave të bashkëshortit të saj, Corinna shprehet se mbështetja e saj për të nuk varej nga rezultati.
“Zemra ime rreh për të kur fiton. Dhe kur humbet. Zemra ime është gjithmonë aty”, thotë ajo.
Dokumentari i ri nuk sjell detaje të reja konkrete mbi gjendjen aktuale të Michael Schumacher. Familja e kampionit gjerman ka ruajtur prej vitesh një privatësi të rreptë lidhur me jetën e tij pas aksidentit të 29 dhjetorit 2013, kur Schumacher pësoi një dëmtim të rëndë gjatë një aksidenti me ski në Alpet franceze.
Që prej asaj kohe, Corinna ka qëndruar pranë bashkëshortit të saj, ndërsa familja është kujdesur për të me ndihmën e një ekipi infermierësh dhe terapistësh.
Në dokumentarin e vitit 2021 kushtuar jetës dhe karrierës së Schumacher, Corinna kishte folur edhe për mënyrën se si familja po përballej me situatën e re, duke theksuar se Michael ishte ende pjesë e familjes, edhe pse “ndryshe”.
“Privatja është private”, kishte deklaruar atëherë Corinna, duke nënvizuar rëndësinë që familja i ka kushtuar mbrojtjes së privatësisë së Michael Schumacher dhe jetës së tyre larg syrit të publikut.

