Tre shtetas shqiptarë janë arrestuar në Selanik, të dyshuar për përfshirje në një ngjarje të armatosur të ndodhur në janar 2025, ku objektiv i të shtënave ishte një 32-vjeçar shqiptar, Danjelin, vëllanë e Fabio Dushkut.
Në pranga kanë rënë Robert Elezaj, 33 vjeç, Sergo Elezaj, 31 vjeç dhe Rueldi Dragjoshi, 26 vjeç. Arrestimet u kryen në orët e mëngjesit të së mërkurës, në kuadër të një operacioni të koordinuar të policisë greke dhe në zbatim të urdhër-arresteve të lëshuara ndaj tyre.
Sipas autoriteteve greke, ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 8 janarit dhe në orët e para të 9 janarit 2025, në një zonë të Selanikut. Tre të dyshuarit dyshohet se iu afruan 32-vjeçarit Danjel Dushku dhe hapën zjarr ndaj tij.
Policia thotë se 33-vjeçari Robert Elezaj qëlloi me pistoletë në drejtim të Dushkut, por nuk arriti ta plagoste. Nga të shtënat, megjithatë, u plagos një person tjetër që ndodhej pranë tij, ndërsa një dyqan në zonë pësoi dëmtime.
Edhe 26-vjeçari Rueldi Dragjoshi dyshohet se hapi zjarr me armë në drejtim të Dushkut, pa e goditur atë. Ndërkohë, 31-vjeçari Sergo Elezaj dyshohet se i drejtoi armën 32-vjeçarit, ndërsa roli i tij, sipas policisë, lidhet edhe me ndihmën e ofruar para dhe gjatë ngjarjes.
Sipas hetimeve, Sergo Elezaj kishte marrë me qira automjetin me të cilin tre personat shkuan në vendin e ngjarjes. Ai qëndroi me ta gjatë përplasjes dhe u largua së bashku me dy të dyshuarit e tjerë.
Nga ana tjetër, policia greke thotë se edhe Danjel Dushku ka përdorur armë zjarri gjatë përplasjes. Ai dyshohet se qëlloi në drejtim të tre personave, pa i plagosur, ndërsa plumbat dëmtuan automjetin me të cilin ata kishin mbërritur, si dhe një tjetër makinë të parkuar.
Arrestimi i të dyshuarve
Gjatë operacionit për arrestimin e tyre, Sergo Elezaj tentoi të largohej duke mos iu bindur urdhrave të policisë. Sipas autoriteteve, ai doli në ballkonin e banesës, kaloi në çatinë e një shtëpie ngjitur dhe qëndroi aty derisa u lokalizua dhe u arrestua.
Gjatë kontrollit në banesë, policia gjeti dhe sekuestroi një pistoletë me karikator, shtatë fishekë dhe dy karta identiteti të falsifikuara. Autoritetet konstatuan gjithashtu se 31-vjeçari nuk dispononte dokumentet e kërkuara ligjore dhe rezultonte person në kërkim, pasi ndaj tij kishte një dënim të pazbatuar për armëmbajtje pa leje.
Edhe Robert Elezaj rezultonte person në kërkim. Sipas policisë greke, ndaj tij kishte një dënim në pritje për lehtësimin e transportit të shtetasve të vendeve të treta që nuk plotësonin kushtet për të hyrë në Greqi. Edhe ai nuk dispononte dokumentet e kërkuara ligjore.
Ndërkohë, 26-vjeçari Rueldi Dragjoshi rezulton të jetë dënuar më parë në Francë me 15 muaj burg, në vitin 2021, për trafikim heroine dhe kokaine.
Policia greke deklaron se të tre të arrestuarit kanë pasur edhe më herët probleme me drejtësinë në Greqi, për vepra që lidhen me vjedhje, trafikimin e paligjshëm të migrantëve, plagosje të rënda, si dhe shkelje të legjislacionit për drogën dhe armët.
Në kërkim edhe Danjel Dushku
Në lidhje me ngjarjen, autoritetet greke kanë shpallur në kërkim edhe 32-vjeçarin Danjel Dushku, i cili, sipas policisë, ka precedentë penalë në Greqi dhe Shqipëri.
Dushku është vëllai i Fabio Dushkut, një shtetas shqiptar i dënuar në Greqi për vrasje dhe vepra të tjera penale.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të përplasjes së armatosur dhe rolin e secilit prej personave të përfshirë vijojnë nga autoritetet greke.http://Infonews.al












