Borxhi i përgjithshëm global ka arritur një nivel rekord, duke u rritur me rreth 10 trilionë dollarë vetëm gjatë gjysmës së parë të këtij viti dhe duke kaluar për herë të parë shifrën prej 365 trilionë dollarësh.
Të dhënat janë bërë publike nga Instituti për Financat Ndërkombëtare (IIF), i cili paralajmëron se rritja e kostove të shërbimit të borxhit po shndërrohet në një rrezik gjithnjë e më të madh për qeveritë në mbarë botën.
Sipas raportit, borxhi shtetëror po rritet në një kohë kur rendimentet e obligacioneve qeveritare me afat të mesëm dhe të gjatë në disa prej ekonomive më të mëdha të botës kanë arritur nivelet më të larta në më shumë se një dekadë.
Situata është veçanërisht e dukshme në Shtetet e Bashkuara, Japoni, Francë dhe Britani të Madhe. Rritja e rendimenteve reflekton shqetësimet e investitorëve për normat e larta të interesit, ndikimin afatgjatë të kostove të larta të energjisë, rritjen e dobët ekonomike dhe nivelet e larta të shpenzimeve qeveritare.
IIF veçon këto katër ekonomi të mëdha për shkak të deficiteve të vazhdueshme dhe rritjes së kostove të interesit, probleme që tradicionalisht janë lidhur më shumë me vendet në zhvillim me nivele të larta borxhi.
Një tjetër tregues i rëndësishëm është kostoja e shërbimit të borxhit. Ekonomitë e zhvilluara paguan vitin e kaluar më shumë se 3.3 trilionë dollarë interesa për obligacionet qeveritare të tregtueshme ndërkombëtarisht. Kjo shumë ishte më e lartë se shpenzimet globale për inteligjencën artificiale, të cilat arritën rreth 2.2 trilionë dollarë, shpenzimet për mbrojtjen, rreth 2.6 trilionë dollarë, dhe investimet në energjinë e pastër, rreth 2 trilionë dollarë.
IIF paralajmëron gjithashtu se borxhi po kthehet në një çështje gjithnjë e më të rëndësishme politike, duke krijuar atë që instituti e përshkruan si një “rreth vicioz” mes zgjedhjeve dhe zgjidhjeve afatshkurtra, ndërsa problemet strukturore të ekonomive vazhdojnë të thellohen.
Sipas institutit, përfitimet që vijnë nga marrja e borxheve të reja po zvogëlohen, ndërsa kostot e financimit po rriten.
“Ndërsa normat bazë të interesit rriten, pritet një rritje e ndjeshme e kostove të interesit, ndërsa ndikimet strukturore të shkaktuara nga shpenzimet për shëndetësinë dhe pensionet publike mbeten kryesisht të pazgjidhura”, deklaroi IIF.
Edhe Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) ka nënvizuar nevojën për masa më të forta për kufizimin dhe riorientimin e shpenzimeve qeveritare, përmirësimin e efikasitetit të sektorit publik dhe rritjen e të ardhurave.
Rritja e borxhit global dhe kostove të interesit po vendos kështu një presion të shtuar mbi financat publike, veçanërisht në ekonomitë e mëdha që përballen njëkohësisht me deficite të larta, rritje të ngadaltë dhe nevoja në rritje për shpenzime publike.

