Polonia shton masat e sigurisë pas sulmeve rusë ne Ukrainën perëndimore
Polonia ka shtuar masat e sigurisë pas sulmeve të reja ruse në Ukrainën perëndimore, në zona pranë kufirit të saj. Situata ka detyruar autoritetet polake të marrin masa të përkohshme në disa pika kufitare, ndërsa avionët luftarakë janë vënë në gatishmëri.
Në pikat e kalimit të Dorohusk dhe Zosin, personeli dhe civilët janë evakuuar përkohësisht, si masë parandaluese përballë rrezikut të përshkallëzimit të situatës.
Kryeministri polak Donald Tusk u ka bërë thirrje qytetarëve dhe institucioneve që të qëndrojnë vigjilentë, ndërsa autoritetet kanë nisur përgatitjet për skenarë të mundshëm emergjence.
Komunave u është kërkuar të hartojnë dhe përditësojnë planet e evakuimit, në mënyrë që të jenë të gatshme në rast se situata e sigurisë përkeqësohet.
Shqetësimet në Varshavë janë shtuar edhe pas një tjetër incidenti ajror.
Një helikopter ushtarak rus i tipit Mi-8 dyshohet se ka hyrë në hapësirën ajrore polake nga drejtimi i Kaliningradit, duke qëndruar në territorin ajror të Polonisë për rreth 42 sekonda.
Ngjarja ka shtuar vëmendjen e autoriteteve ndaj lëvizjeve ushtarake pranë kufijve polakë.
Në kuadër të masave të reja të sigurisë, Polonia ka shtuar praninë ushtarake në zonat kufitare dhe po përmirëson sistemet për informimin dhe paralajmërimin e qytetarëve.
Autoritetet vijojnë të monitorojnë zhvillimet përgjatë kufirit me Ukrainën, ndërsa situata mbetet nën vëzhgim për shkak të intensifikimit të sulmeve ruse në territorin ukrainas.




