
Në një kohë kur çmimet e karburanteve vijojnë të jenë të larta, qeveria propozon vendosjen e një tarife të re mbi naftën për financimin e rezervës së sigurisë së hidrokarbureve.
Në relacionin e projektligjit për krijimin, mbajtjen dhe menaxhimin e rezervave minimale të sigurisë së naftës bruto dhe nënprodukteve të saj, niveli orientues i tarifës është parashikuar në 3 lekë për litër.
Me këtë nivel, qeveria llogarit se do të arkëtojë rreth 3.75 miliardë lekë në vit, ose afro 40 milionë euro. Të ardhurat do të përdoren për blerjen e karburanteve që do të mbahen rezervë, depozitimin, mirëmbajtjen dhe funksionimin e strukturës shtetërore përgjegjëse për administrimin e tyre.
Vetë qeveria pranon në relacion se tarifa e re do të sjellë një kosto shtesë në zinxhirin e furnizimit dhe do të ndikojë në çmimin final të karburanteve për konsumatorët.
Tarifa prej 3 lekësh për litër nuk është ende përfundimtare. Projektligji parashikon që niveli i saj të përcaktohet çdo vit me vendim të Këshillit të Ministrave, sipas propozimeve të ministrive përgjegjëse.
Rezerva do të krijohet në pesë vjet
Sipas draftit, krijimi i rezervës së sigurisë do të shtrihet në një periudhë pesëvjeçare. Nëse tarifa do të aplikohej në nivelin e parashikuar prej 3 lekësh për litër, të ardhurat totale gjatë kësaj periudhe do të shkonin në rreth 200 milionë euro.
Volumi orientues i rezervës llogaritet në 43.6 deri në 49 mijë tonë në vit. Në të përfshihen nafta bruto dhe nënprodukte të ndryshme, si nafta, benzina, karburanti për avionë dhe gazi i lëngshëm.
Në një prej skenarëve të paraqitur nga qeveria, rezerva do të jetë rreth 43.6 mijë tonë. Prej saj, 17.4 mijë tonë do të jenë naftë bruto, rreth 13 mijë tonë naftë, ndërsa rreth 8.7 mijë tonë do të jenë benzinë. Pjesa tjetër do të përbëhet nga gaz i lëngshëm dhe karburant për avionë.
Vetëm blerja e karburanteve parashikohet të kushtojë rreth 39.4 milionë euro në vit, ndërsa rreth 2.6 milionë euro në vit llogariten për depozitimin e tyre.
Autoritet i ri për rezervën e naftës
Menaxhimi i rezervës do t’i besohet një Autoriteti Shtetëror për Rezervën e Sigurisë së Naftës. Sipas përllogaritjeve të projektligjit, ngritja e këtij autoriteti do të kushtojë rreth 60 milionë lekë, ndërsa funksionimi i tij parashikohet në rreth 220 milionë lekë në vit.
Për krijimin e sistemit të arkëtimit të tarifës parashikohet një kosto fillestare prej 20 deri në 30 milionë lekësh, ndërsa mirëmbajtja vjetore e sistemit llogaritet në 8 deri në 12 milionë lekë.
Projektligji parashikon gjithashtu që Autoriteti të ketë të drejtë të blejë dhe shesë naftë për nevojat e rezervës pa procedura prokurimi publik. Në draft, kjo parashikohet të lidhet me natyrën specifike të funksionimit të rezervës së sigurisë.
Ndërkohë, Shoqata e Hidrokarbureve ka shprehur më herët kundërshtime për mënyrën e financimit të skemës. Sipas saj, tarifa për rezervën e sigurisë përbën një “taksë të fshehtë”, pasi nuk lidhet me një shërbim që shteti u ofron kompanive, por me financimin e një detyrimi publik përmes një tarife të vendosur mbi karburantet.
Aktualisht, çmimi i naftës në Shqipëri përfshin disa taksa dhe tarifa, mes tyre TVSH-në, akcizën, taksën e qarkullimit, taksën e karbonit, tarifën e skanimit dhe taksa të tjera. Sipas të dhënave të paraqitura në relacion, barra fiskale zë rreth 53% të çmimit final të naftës./Versus.al

